U promovua libri “Një jetë për atdhe” i veprimtarit dhe humanistit, Musa Emini

Prishtinë | 07 Sht 2019 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Në një organizim letrar ku ishin mbledhur qindra adhurues të librit, drejtues politik e institucional, përfaqësues të familjeve patriotike e veprimtarë të kulturës, sot në Teatrin “Adriana” u promovua libri me titull “Një jetë për atdhe” me autor, humanistin dhe veprimtarin ferizajas, Musa Emini.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu i cili edhe mbështeti botimin e këtij libri, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica e Mexhide Mjaku Topalli, ish kryetarë të Komunës së Ferizajt, përfaqësues të familjeve patriotike, familjes së Isa Boletinit, Azem Bejtës, Adem Gllavicës, Tahir Mehës, Mulla Idriz Gjilanit e të ftuar tjerë të veçantë.

Në fjalën e tij, i pari i Ferizajt, Agim Aliu vlerësoi me notat më të larta e me respektin maksimal veprën, përpjekjen e kontributin e Musa Eminit gjatë gjithë historisë së dekadave të fundit nëpër të cilat kaloi vendi ynë.

” Sot, na ka bashkuar një ngjarje e veçantë! Libri i Musa Eminit që në çdo faqe e rresht kullon gjakun e djersën e liridashësve, përpjekjen e shembëlltyrën e gjithësecilit prej djemve e vashave më të mirë që nxorri ky popull, për çmimin e shtrenjtë të lirisë që bartën mbi supet e tyre njomake. Libri, që vet autorin e personifikon, si një mbledhës i paepur i xhevahirëve të kujtesës e gjenezës sonë kombëtare, si një kuti e fatit tonë kombëtar, nxjerr heroizmin, zërin e shpirtin e papërkulur të shqiptarit ndër epoka, ndër vite e dekada sakrificash të mbuluara me krenari, gjak e fitore.
Kur zunë fill rreshtat e këtij libri, ndriti një shkëndijë në horizontin e letrave shqipe. Letërsisë sonë dokumentare po i ngjitet në vitrinë, kjo magji fjalësh, germash, fjalish e zërash që lanë trashëgim vet protagonistët, për t’i kujtuar e rrëfyer ato ndër breza. Ai është mbledhësi i relikteve, folklorit dhe xhevahireve që i lanë strukur qoshet e historisë sonë, për t’ia prezantuar ato, me kujdes e dashuri, me pasionin që vetëm duart e shpirti i Musait di si ta bëjë, pasardhësve, bijve e bijave tona të rritur në paqe. Ferizaj, ka fatin që ka një qytetar si Musa Emini. Një ikonë të palodhshmërisë për tjetrin, për kulturën tonë, për djepin ku u lindën dhe rritën mozaiqet më të bukura të kombit tonë, për dritën që i hodhi djersa e tij, malit thesar të mbuluar të eksponateve tona, të cilat natyrshëm rrjedhin edhe në faqet e këtij libri. Thinjat dhe mosha e tij janë shkëlqimi i dhuratës që sot na bëri Musai, duke sjell në raftet e tryezat tona këtë libër, këtë testament brezash, udhërrëfyes e fanar për vitet tona kur vuanim okupimin.Kur duart tona u peshuan nga prangat e robërisë, kur djersa jonë thahej kazamateve serbe e gjaku pikonte mbi flamur, kur fryma ndalej me lakun e pushtuesit e fëmijët mallkoheshin që në djep, të rriturit vuanin shkopinjtë mbi kurriz vetëm se ishin shqiptarë, të tjerë vriteshin pa kusur, ishin burra e gra si Musai që përveshën mëngët për të gatuar lirinë, për të arkivuar, dëshmuar e dokumentuar të shkuarën tonë” tha i pari
i Ferizajt, Agim Aliu

Ngjarja, vijoi me leximin e kumtesave për këtë libër nga redaktorët Enver Zhinipotoku, Rrahim Sadiku e Banush Imeri të cilët evokuan kujtimet, mbresat dhe emocionet që shpërfaq kjo përmbledhje e disa dekadave angazhim të autorit Emini. Vet autori, Musa Emini falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë ngjarje si dhe mbështetjen për botimin e këtij libri.

Programi vijoi me pikat muzikore përgatitur enkas për këtë ngjarje si dhe një video material që shpaloste ecjen në kohëra të punës, angazhimit dhe përpjekjes së autorit Musa Emini dhe bashkëveprimtarëve të tjerë.

Të ngjashme