U shënua Dita e Qendrës së Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec

Prishtinë | 28 Maj 2019 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Nën organizimin e kryetarit të komunës, Smajl Latifi sot me aktivitete të shumta është shënuar Dita e Qendrës së Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec, në aktivitete pjesëmarrës ishin zyrtar komunal, familjar dhe bashkëluftëtar të dëshmorëve.

Aktivitetet kanë filluar me bërjen e homazheve dhe nderimeve te pllaka përkujtimore e heronjve dhe dëshmorëve: Mensur Zyberaj, Ismail Gashi, Habib Gashi, Kurtish Hasani, Bedri Berisha, Nazmi Hasani, Manush Berisha, Agron Bytyqi, Alajdin Elshani, Xhevat Elshani, Selim Berisha, Hajrush Berisha dhe Rifat Dina. Aktiviteten kanë vazhduar me mbajtjen e Akademisë solemne, Programi kulturor-artistik dhe Ekspozitë “Koleksioni i pikturave të kolonisë së artistëve” nga OJQ “Art Studio”, në hollin e Qendrës së Kulturës, ”Mensur Zyberaj”.

Smajl Latifi, kryetar i komunës së Rahovecit në fjalimin e tij të mbajtur në Akademi solemne ka thënë se 28 maji është skalitur me shkronja gjaku në historinë e popullit të Rahovecit, ngase në këtë datë të vitit 1999 në fushë të nderit ranë shumë dëshmorë në betejën e ashpër dhe të pabarabartë që u zhvillua në zonën e Mileskës, në trekëndëshin Pojatat e Mullaabazëve-Krushë e Madhe- Qëndresë (ish Randobrava). Beteja e majit mori përmasa gjaku e heroizmi, ngase në fushë të nderit ranë shumë dëshmorëve, ndër të cilët edhe njëri ndër themeluesit e celulave të para të UÇK-së në rajonin e Anadrinisë, respektivisht Zonës Operative të Pashtrikut, Heroi i Kosovës Mensur Zyberaj.

“Maji ishte muaji i rënieve e sakrificave të mëdha për liri. Mensuri, Sadedini, Bekimi, Mexhiti, Ismaili, Habibi, Milaimi, Xhevdeti, Naimi, Besimi, Avniu, Alajdini, Xhevati, Bujari, Jetoni dhe shumë dëshmorë të tjerë të zonave të ndryshme që ranë në këtë betejë të pabarabartë me armikun në atë fund maji. Gjithë këto rënie, gjithë ky gjak dhe gjithë këto vuajtje të popullit tonë, dëshmojnë qartë sa shtrenjtë e paguam lirinë tonë. Jemi në rrugë të mirë që vendin tonë ta radhisim krah popujve të zhvilluar e të qytetëruar. Këtë e meritojmë por se duhet edhe shumë mund e djersë. Besojmë se nuk do t’na mungojë forca dhe dëshira për ta bërë këtë.Për të përjetësuar kujtimin për dëshmorët tanë na takon që në këtë vatër të kulturës të shpalosim gjithnjë e më shumë promovime të kulturës tonë tradicionale, të krijimeve të reja artistike dhe çdo vlerë tjetër që na identifikon si komb. Presim bashkëpunim më të thelluar me artistët dhe krijuesit e komunës tonë, duke synuar që jeta jonë kulturore të jetë sa më e pasur. Kjo dëshmon një përkushtim të madh në ruajtjen e trashëgimisë tonë kulturore. Në këtë linjë po vazhdojmë ende, sepse paraprijës kemi idealin e atyre që u flijuan për këtë vend”, ka thënë në mes tjerash kryetari Latifi.

Ndërsa, drejtoresha e Kulturës, Rinis dhe Sportit, Bjondina Klqeka ka folur për punën dhe aktivitetet që kjo drejtori i ka bërë duke cekur faktin se jeta sportive në komunën e Rahovecit ka pasur ngecje të theksuara për një kohë të gjatë. Përurimi i palestrës së sportit “Mizahir Isma” është ndër arritjet tona më të mëdha dhe në këtë rast duhet përgëzuar kryetarin e komunës Smajl Latifi, i cili me vendosmëri e përkushtim ndikoi që palestra e ngecur të kryhet në afat rekord. Tashmë jemi dëshmitarë të rritjes së hovshme të aktiviteteve sportive dhe të formimit të grupeve e klubeve të shumta që merren me sport. Zaten përpjekjet tona konsistojnë në nxitjen e të rinjve e të reja për t’u marrë me sport dhe në këtë mënyrë të dëshmojnë vlerat e cilësitë e tyre sportive.

Në emër të OVL e UÇK-së ka folur Kurse, Ejup Kabashi i cili ka evokuar kujtimet nga ngjarjet të cilët e kanë përcjellë me rëniet heroike në betejën e majit të vitit 1998/99. Nuk kishte se si të shmangej beteja e vitit 1999, duke u përballur me egërsinë e madhe të paramilitarëve, militarëve, policëve dhe të gjitha forcave të gjithë strukturës shtetërore serbe e cila shprazte mllefin e paparë deri në ato momente. Kujtojmë rënien e Feimit, Sakipit, Përparimit të fund majit të 1998, do i kujtojmë betejat të cilat u zhvilluan në fund majin e 1999, ku bashkërenduar shumë brigada, shumë njësi në këtë betejë.

Për pjesën kulturore e artistike janë përkujdesur nxënës të SHFMU ”Nesimi Elshani”, nga fshati Nagac dhe Shoqëria Kulturo Artistike “Bajram Curri”, nga fshati Krushë e Madhe.  

Të ngjashme