U vra dhe një tjetër në Shqipëri! U vra se u gjend në vendin e gabuar. Ky ishte faji i tij! Për vrasësit nuk kishte emër. Nuk është hera e parë që ndodh e nuk do jetë as e fundit. Këtë unë e di mirë!
U vra dhe një tjetër në Shqipëri! U vra një njeri i varfër. Sot, po reagojnë të gjithë! Kot! Deri nesër do harrohet dhe do rikujtohet në ngjarjen e ardhshme si statistikë. Të varfërit nuk qahen aq shumë sa të pasurit.
U vra dhe një tjetër në Shqipëri i cili nuk pranoi të braktiste vendin e tij, por rrinte qetë qetë duke u ngrohur sepse kishte sigurinë e pafajsisë dhe ndershmerisë. Nuk kishte armiq.
Por që të dëgjoj Zengjini duhet goditur Fukarai!
U vra dhe një tjetër në Shqipëri! Një tjetër nga ata që kanë ngelur aty. Një nga ata që besonte se me pagjumësinë e tij do shkollonte fëmijët, apo do bëhej një gjysh i mirë që i blinte dhurata nipërve dhe mbesave.
U vra dhe një tjetër dhe nuk është çudi. U vra aty ku ka reagime të dhunshme për politikanët legjendë dhe idhuj e të krimbur në para. Për ata që i kanë lënë të varfër deri më sot.
Idhujt e tyre çirren për raste të tilla sa për të goditur rivalin dhe ngrenë Shqipërinë në këmbë kur cënohen vetë, xhepat e tyre, familja e tyre ose pushteti.
Kush nga këta idhujt tuaj u ngrit sot?
Nuk ngrihen dot jo! Krimi lulëzon falë tyre. Ata iu dhanë kriminelëve fuqinë që të vrasin e godasin pa iu hyrë gjëmbë në këmbë. Duhen dhe kriminelët për të mbajtur ekuilibra. Ka kaq shumë pak rrugë Shqipëria sa vështirë që të gjitha të të çojnë në drejtim të paditur.
U vra dhe një tjetër në Shqipëri ashtu si vriten përditë. Disa nga aksidentet që shkaktojnë makinat që xixëllojnë nga luksi dhe blindimi, disa nga dhuna që ushtrohet brenda familjes, disa nga dhuna në shoqëri, disa nga rrugët me gomone e me kamiona sepse mundësitë dhe të ardhmen e kanë zaptuar këta të kallashit. Çdo ditë vdesin në Shqipëri! Çdo ditë vdesin shqiptarë.
Ka dhe nga ata shqiptarë që vdesin çdo ditë nga pak duke jetuar në atë ambient mbytës të rrethuar nga kriminel, militantë të çmendur dhe të varfër.
U vra dhe do vriten plot të tjerë në Shqipëri! Por deri nesër kjo gjë do harrohet. Vdekja e të varfërve nuk përbën diferencë në vendin ku idealizohet i forti dhe krimineli. Atje ku rinia ëndërron të jetë si Escobari (për Escobarët shqiptarë e kam fjalën).
Prandaj mos pyesni më pse ikin shqiptarët! Mos e reklamoni si ambicie e të rinjve për të konkuruar në tregjet globale, se gënjeni. Ashtu si në çdo gjë tjetër dhe këtu po gënjeni.
Shqiptarët kanë thjeshtë nevojën për të ekzistuar dhe për të mos u ngritur nga gjumi me lajme të tilla.
Balzaku thotë se: Pas çdo pasurie të madhe, fshihet një krim i madh.
Nëse të marrësh frymë në Shqipëri e quani pasuri të madhe atëherë na vrisni për këtë krim të madh si kriminela të ekzistencës dhe varfërisë.