I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për konfliktin në lindje të Ukrainës, Kurt Volker, i tha BBC-së se Uashingtoni është duke shqyrtuar dërgimin e armëve për forcat qeveritare të Ukrainës që luftojnë separatistët pro-rusë.
Volker tha se armatosja e tyre mund të ndryshojë qasjen e Moskës në ish-republikën sovjetike.
“Armët mbrojtëse, ato që do t’i mundësonin Ukrainës të mbrojë veten dhe të nxjerrë tanke për shembull, do të ndihmonin për të ndalur kërcënimin e Rusisë ndaj Ukrainës”, tha Volker në intervistën dhënë BBC-së.
Sipas tij, vendosja e paqes në lindje të Ukrainës kërkon “dialog të ri strategjik me Moskën”.
Volker, ish-ambasador i SHBA-së në NATO, ka vizituar pjesën lindore të Ukrainës më 23 korrik. Ai është emëruar këtë muaj përfaqësues i posaçëm i Uashingtonit në negociatat për zgjidhjen e konflikt në Ukrainë.
Mbi 10,000 veta janë vrarë qëkur ka shpërthyer konflikti në prill të vitit 2014.