Për nder të 12-vjetorit të Pavarsisë së Kosovës, UBT ka shpërblyer me bursa studimi rreth 300 studentë të dalluar të të gjitha fakulteteve, të cilët kanë arritur notën mesatare mbi 9.0
Bursat janë ndarë nga rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, siç tha, për të motivuar dhe përkrahur studentët përgjatë gjithë viteve të studimit.
“Ne mburremi që studentët tanë kanë sukses në studime. Pra, nuk është pak sepse gjithë këta studentë kanë arritur notë të lartë mesatare. Këta të rinj janë talentët dhe inovatorët e së ardhmes, prandaj gjejnë punë dhe janë më të kërkuarit në tregun e punës. Arritjet e këtyre studentëve na bëjnë shumë krenarë dhe gjithsesi janë motivi jonë si institucion i arsimit të lartë”, potencoi rektori Hajrizi.
UBT çdo vit ndihmon dhe lehtëson shkollimin e qindra të rinjve nga vendi dhe rajoni, ku ndan bursa në vlerë të 1 milion e 500 mijë eurove, bursa që ndahen me rregullohen e institucionit në kategori të parapara.
Pas ndarjes së bursave, rektori Hajrizi ka nderuar me çmimin “Excellence Leadership Award” pronarin e shtëpisë të shndërruar në shkollë në kohën e okupimit, Mehmet Aliu-Hertica.
Ky çmim iu dha për të vlerësuar kontributin e familjes së pronarit të kësaj shtëpie, në të cilën patën diplomuar gjenerata të gjimnazit “Sami Frashëri”.
Familja Hertica shtëpinë e vet e shndërroi në tempull të rezistencës, duke shënuar një moment historik të mbrojtjes së arsimit shqip.