Në një ceremoni solemne, nën patronatin e Presidentit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, me vendim të Këshillit Akademik, UBT ndau çmimin më të lartë për ekselencë “Leadership Excellence Award” për kryetarin e Bashkisë së Portos, Rui Moreira.
Kjo ngjarje u mbajt në ambientet e Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së, dhe u karakterizua nga një pjesëmarrje e gjerë e personaliteteve të njohura nga sfera e arsimit, biznesit dhe politikës.
Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë kontributit të liderëve në përmirësimin e jetës shoqërore dhe zhvillimin e komuniteteve. Ai vuri në dukje se kontributi i kryetarit Moreira ka qenë thelbësor për zhvillimin e qytetit të Portos dhe ka shërbyer si një model frymëzimi për liderët e tjerë në Evropë dhe më gjerë.
Kryetari Rui Moreira, duke pranuar çmimin, shprehu mirënjohjen e tij dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe autoriteteve lokale.
Njashtu, kryetari Moreira potencoi se “UBT është një prej institucioneve më inovative të arsimit të lartë, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”.
Çmimi special “Leadership Excellence Award” nga UBT u jepet personaliteteve të shquara për kontributin e madh në sfera të ndryshme të jetës shoqërore, duke përfshirë edukimin, kulturën, inovacionin dhe zhvillimin ekonomik. Ky çmim synon të inkurajojë dhe të promovojë lidershipin dhe ekselencën në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.