Me qëllim të mbështetjes në luftën kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, UBT tash e gati dy muaj është solidarizuar dhe ka dhuruar mjete mbrojtëse institucioneve anë e mbarë Kosovës.
Së fundmi, një donacion të tillë e ka pranuar edhe Komuna e Prishtinës, me ç’rast janë dhuruar një sasi e maskave të prodhuara nga studentët e UBT-së, e që do të shërbejnë për punëtorët e kësaj komune.
Maskat janë shpërndarë në kuadër të kampanjës “I Love You All”, e cila është organizuar nga Fakulteti Arti dhe Mediat Digjitale.
Maskat mbrojtëse tejet inovative, që tashmë janë krijuar dhe punuar me printer 3D janë projektuar nga studenti i Fakultetit Dizajn i Integruar, Arbnor Demaj dhe mbështetur nga UBT.
Deri tash janë prodhuar qindra maska të tilla, teksa do të vazhdojnë të prodhojnë edhe një sasi të konsiderueshme maskave mbrojtëse për kategoritë e ndjeshme të shoqërisë.