UBT në mesin e nëntë kompanive më të mira në botë nga EFQM

Prishtinë | 01 Nën 2022 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Lidershipin institucional e arsimor, si dhe impaktin e madh që ka në shoqëri, UBT e ka dëshmuar edhe këtë herë duke u renditur globalisht në mesin e nëntë kompanive më të mira në botë për cilësi, vlerësuar nga Këshilli i Ekselencës Botërore nga organizata e njohur për Menaxhimin e Cilësisë – EFQM.

UBT është vlerësuar për performancë të veçantë institucionale dhe për nivelin e cilësisë në bazë të modelit të ekselencës, përkrah kompanive të mëdha botërore si: Bosch, Huawei, VAMED dhe Road and Transport Authority (RTA).

Me këtë rast, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka thënë se ky vlerësim nga EFQM është një arritje e jashtëzakonshme për UBT-në dhe Kosovën, dhe si e tillë dëshmon angazhimin dhe kontributin e UBT-së në zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë në arsim dhe edukim.

“Jemi shumë të lumtur që Kosova përmes UBT-së është renditur në mesin e nëntë kompanive më të mira në botë për cilësi, si një vlerësim i jashtëzakonshëm për UBT-në dhe vendin tonë. Puna dhe angazhimi i UBT-së në ndërtimin e një ekosistemi inovativ dhe cilësor, po vlerësohet nga mekanizma ndërkombëtar, siç është rasti me organizatën për menaxhimin e cilësisë në botë – EFQM, dhe për këtë ndjehemi shumë krenar që kemi arritur në një momentum të tillë”, ka thënë rektori Hajrizi.

Nga më shumë se 30 kompani që iu nënshtruan një procesi njëvjeçar të vlerësimit nga ekspertët e kësaj organizate, UBT është vlerësuar me pikë maksimale në shumicën e kategorive për performancën institucionale kundrejt menaxhimit global.

Të ngjashme