Rektori UBT-së, Edmond Hajrizi në një intervistë në Telegrafi.com me redaktorin e ekonomisë Albert Spahiu ka thënë se në vitin e 20-të jubilar të themelimit të kolegjit, organizohet Konferenca e 10-të Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion.
Hajrizi në këtë intervistë ka treguar se për dy ditë radhazi, sa mbahet kjo konferencë shkencore, do të prezantohen mbi 600 punime shkencore me pjesëmarrjen e 1,000 hulumtuesve.
“Ky vit është jubilar dhe për konferencën është viti i dhjetë, që tregon një konsistencë mjaftë të madhe ka një organizim deri në një ditë kur prezantohen punimet. Është një motivim i yni se ku vijnë shkencëtarë dhe autorë të ndryshëm botëror në Kosovë, ku kjo për ne krijon një reputacion, një indeksim. Sivjet kemi 600 punime shkencore dhe 1,000 autorë të ndryshëm që marrin pjesë në dy ditë të konferencës”, tha Hajrizi.
Ai tregon se sivjet ka pasur rritje për 20 për qind të pjesëmarrjes ndërkombëtare në këtë konferencë.
Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi gjatë intervistës në Telegrafi.com
“Ne çdo vit kemi pasur rritje, ku sivjet vetëm pjesa ndërkombëtare është mbi 20 për qind edhe nga viti, krahasuar me punimet, kemi më shumë. Vjet kemi pasur 500 punime, ndërsa sivjet kemi 600 punime ku do të thotë se ka një rritje të punimeve dhe të autorëve dhe kjo e krijon kualitetin e strukturës”, tregon ai.
Sipas Hajrizit, këtë vit motoja e konferencës është rezilenca, inovacioni dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
“Motoja e konferencës për këtë vit është rezilenca, inovacioni dhe zhvillimi i qëndrueshëm. E gjithë bota është në këtë fokusin e vitit 2030, modeli i jetës 2030 dhe qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara. Ne kemi dashur që të gjithë autorët dhe shkencëtarët të fokusohen se çfarë mund të bëjmë më mirë për kualitetin e jetës, si mund të rriten vendet e punës, sigurinë, pjesën e qëndrueshmërisë dhe atë të dixhitalizimit”, ka shtuar Hajrizi.
Në këtë intervistë, ai ka folur për fokusin e temave që organizohen në këtë konferencë.
Kjo konferencë organizohet në datat 29 dhe 30 tetor dhe mbahet në kampusin universitar të UBT-së.