UÇK-ja është guxim, jo kalkulim

Prishtinë | 31 Mar 2023 | 20:05 | Nga Dardan Molliqaj

UÇK-ja na bashkon. Mbrojtja e saj duhet të jetë mbi politikën ditore. Ajo është sidomos mbi çdo llogari suksesi. Ajo duhet t’i mbizotërojë pozicionet e pushtetit dhe ambiciet për pushtet.

Marshi është lajmëruar tash sa kohë. Kryeministri parëmbrëmë, në inat e sipër, teksa arsyetonte “Zajednicën”, na tha se nuk ka dëgjuar gjë për këtë marsh. Por, Partia sot i paska bërë llogaritë: Marshi për Drejtësi do të gjejë mbështetje popullore, andaj dalim edhe ne. E lexueshme, ku ka numra e masë, aty e keni VV-në oportuniste. Kjo është e kundërta e rrugës së saj. UÇK është udhëhequr nga guximi, dhe jo nga disponimi i dobët si konsensus i opinioneve.

Veç kësaj, jo të gjithë i kemi mundësitë e njëjta për ta mbrojtur UÇK-në. Kush ka pushtet duhet të flasë me vepra. Nëse dikur ke premtuar zhbërjen e Speciales, tash është rasti ta tregosh konsistencën.

Ligji për Dhomat e Specializuara mund të ndryshojë dhe duhet të ndryshojë. Nëse vazhdimisht thekson se dikur nuk e ka votuar, sot pa e shuar Gjykatën mund t’i korrigjosh shumë nga padrejtësitë e saj.

Kështu matet partia në pushtet. Ndryshe, vërtetohet thënia “Shko Hashim”. Vërtetohet edhe ndërhyrja nga burgu për ta pamundësuar shfuqizimin e Ligjit.

Të ngjashme