Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra i është kundërpërgjigjur akuzave të dy deputetëve të Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj e Frashër Krasniqi për luftën e UÇK-së.
Përmes një reagimi në Facebook, deputetja Deliu-Kodra ka thënë se populli i Kosovës nuk e toleron fyrjen e luftës çlorimtare, nga ata që nuk e dinë nga shkohet në Prekaz, Gllogjan, Koshare, Malishevë, Pashtrik, Izbicë, Mejë.
Statusi i plotë i deputetes Blerta Deliu-Kodra:
Asnjë gjuhë e urrejtjes, dhe as mllefi i ambicieve të sëmura politike nuk mund ta dëmtojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Toka e këtij vendi, malet dhe zemrat e njerëzve e ndjejnë më së miri lavdinë dhe heroizmin e secilit ushtar të UÇK-së. Ne jemi krenar me luftën që kemi bërë për ti dal zot vendit dhe për ta larguar Serbinë nga Kosova, duke marrë edhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë për luftën tonë të drejtë.
Nëse dikujt i është prishur rehatia nga lufta e jonë, i kërkojmë falje. Por ky popull dhe historia e tij nuk e durojnë kurrë përbuzjen dhe fyerjen e vlerës kryesore të saj, UÇK-në. Aq më tepër nga ata që nuk e dinë nga shkohet në Prekaz, Gllogjan, Koshare, Malishevë, Pashtrik, Izbicë, Mejë.
Lavdi e përhershme luftës dhe veprës së secilit ushtar. Turp për ata që shkelin mbi këtë lavdi për heroizma të rremë dhe ambicie të sëmura politike.