Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, kërkoi falje për ligjin për ekstradim, por nuk tha se do ta tërheqë atë.
Hong Kongu është përfshirë nga protestat masive për shkak të ligjit, i cili do të lejonte ekstradimin në Kinë.
Protestuesit kanë bërë thirrje për dorëheqjen e zonjës Lam.
“Personalisht mbaj shumë përgjegjësi. Ligji ka çuar në polemika, mosmarrëveshje dhe shqetësime në shoqëri”, tha ajo.
“Për këtë i kërkoj falje gjithë popullit të Hong Kongut”, tha Lam.
E pyetur nga BBC nëse do të japë dorëheqje ose do ta tërheqë ligjin, ashtu siç kërkojnë protestuesit, Lam tha se fakti që ligji është pezulluar javën e kaluar, tregon se ajo po i dëgjon shqetësimet.
Protestuesit druajnë se ligji për ekstradimin mund ta çojë Hong Kongun nën kontroll edhe më të madh të Kinës.
Hong Kongu i është dorëzuar Kinës nga Britania në vitin 1997, nën parimin “një shtet, dy sisteme”.
Sipas këtij parimi, Hong Kongu ka pavarësinë e tij gjyqësore, legjislaturën e tij, sistemin e tij ekonomik dhe dollarin e tij.
Pekini, ndërkaq, ruan kontrollin e çështjeve të jashtme dhe të mbrojtjes.