Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se ligji kontrovers që do të mundësonte ekstradimin në Kinë “është i vdekur”.
Në një konferencë për media të martën, Lam tha se puna e qeverisë në këtë projektligj ka qenë një “dështim total”.
Megjithatë, ajo nuk tha se ligji është tërhequr plotësisht, ashtu siç kërkojnë protestuesit.
Ligji, tash e sa javë, ka shkaktuar protesta masive në Hong Kong dhe qeveria tashmë e ka pezulluar për kohë të pacaktuar.
Protestat në Hong Kong u përshkallëzuan nga frika e Kinës autoritare
Kritikët e legjislacionit thonë se ai do të dëmtonte pavarësinë gjyqësore të Hong Kongut dhe do të mund të përdoret kundër atyre që flasin kundër Qeverisë kineze.
Hong Kongu, ish-koloni britanike, është pjesë e Kinës, por nën marrëveshjen “një shtet, dy sisteme”, që i garanton një nivel autonomie.
Ai ka gjyqësorin e tij dhe një sistem të veçantë ligjor.
Protestat, disa prej tyre të dhunshme, kanë vazhduar edhe pasi qeveria e ka pezulluar projektligjin për ekstradim në mes të qershorit.