Pilotët dhe stjuardesat po përpiqen të zgjojnë vëmendjen për një temë të ndjeshme, ndotjen e ajrit në avionë, transmeton Klan Kosova.
Sa helmues është ajri në kabina dhe sa të rrezikshme janë pasojat për shëndetin?
Stjuardesa Kerstin Konrad e kujton mirë të ashtuquajturin ”Fume Event”-in e parë, siç quhet në gjuhën e pilotëve, ndotja e ajrit në avion.
Në pjesën e pasme të kabinës, kolegët kishin nuhatur një erë të çuditshme, transmeton Klan Kosova.
Kapiteni i ekipit i ishte lutur Kerstin Konradit të verifikonte gjendjen.
”Shkova dhe i mora erë tubave të ajrit”, kujton Konrad.
”Ndjeva menjëherë dhimbje të forta të kokës dhe të barkut, pastaj një dridhje në gjymtyrë, që u përhap si një lloj mpirjeje”.
Kerstin Konrad kujton, se edhe më pas ishte e trullosur dhe e paaftë të kryente veprimet më të thjeshta. ”Nuk mund të dalloja dot më as lëngjet, duket çmenduri, po kështu ishte”, thotë ajo. ”U ula dhe shikoja ngultazi, e paaftë për të bërë ndonjë gjë”.
228 raste të regjistruara në vit
228 “Fume Events”, raste të ndotjes së ajrit i janë bërë të ditura “Qendrës Gjermane për Studimin e Aksidenteve në Avionë” (BfU). Akoma më e lartë është shifra që personeli i kabinës dhe pilotët ia bëjnë me dije punëdhënësve, raporton televizioni gjerman, ZDF duke u bazuar në dokumente të shoqërive të fluturimit.
Nëse një pilot bëhet viktimë e ndotjes së ajrit, kjo situatë mund të kthehet shpejt në një rrezik të madh. Por pilotët mund të veshin shpejt maskat, që i furnizojnë me oksigjen, në momentin që ndjejnë ndonjë një erë të çuditshme. Pasagjerët dhe stjuardesat nuk e kanë këtë mundësi, maskat për ta janë vetëm në rast të rënies së presionit të ajrit, furnizohen me ajrin e kabinës të pasuruar me oksigjen.
Efektet tek pilotët
Jens Friedemann, specialist për aksidentet e rastet e avarive në avionë thotë se “rrethanat që i bëjnë pilotët të përdorin maskat e oksigjenit, ose rasti i paaftësimit të pilotit gjatë punës – janë raste që në lidhje me ndotjen e ajrit shihen nga ne si një avari e rëndë.”
Përmes këtij filtri diferencimi arrihet që të regjistrohen në vit vetëm 228 raste të “Fume Events”, me fjalë të tjera ky nuk shihet si një problem edhe aq urgjent.
Stjuardesa Kerstin Konrad mendonte se nuk do të prekej nga ky fenomen, kur lexonte për të. “Mendoja, se kjo është aq e shpeshtë sa ç’mund të jetë rrëzimi i avionit, pra jashtëzakonisht e rrallë, dhe nuk do të më prekë mua.”
Por nga viti 2013 ajo është prekur katër herë nga ndotja e ajrit në kabinë, nganjëherë të shoqëruara me kundërmim, nganjëherë jo. Por gjithmonë ajo ka ndjerë dhimbje koke, barku, ndjesinë e mpirjes dhe trullosje. Por më e keqja për të është se pasojat në shëndetin e saj janë afatgjata dhe ajo nuk shihet më si e aftë për të qenë pjesë e ekipit në fluturim.
“Kam qenë gjithmonë stjuardesë e pasionuar dhe nuk mund të përfytyroja që punëdhënësi im e merr parasysh rrezikun që të prekem në një mënyrë të tillë”, thotë ajo. “Dëmtime të sistemit nervor dhe funksion të kufizuar të mushkërisë” – problemet e shëndetit të Konrad janë të konfirmuara nga mjeku. Por për shkaqet e këtyre problemeve debatohet.
Ku qëndron gabimi?
Ajri në kabina ofrohet nga turbinat e avionëve, por në këtë proces ai mund të ndotet me përbërës të kerozinës, naftës apo lëngjeve të sistemit hidraulik. Prodhuesit dhe shoqëritë e fluturimit e mohojnë këtë. “Sistemi i furnizimit të ajrit përdoret si standard nga vitet 60-të për fluturime. Ai ka treguar se është rezistent dhe i besueshëm”, thotë Claudia Nehring nga Shoqata Federale e Ekonomisë Gjermane të Trafikut Ajror (BdL). “Kësaj i shtohet që ajri merret nga dhomat e djegies së motorëve, kerozina dhe djegia si proces vijnë më vonë, shkruan Tiranaobserver. Teknikisht është e përjashtuar pra që ajri të jetë ndotur me gazra apo mbeturina nga djegia”, thotë Nehrig për DW.
Teknikisht e përjashtuar, e megjithatë mjekja Astrid Heutelbeck zbulon përmes biomonitoringut në gjakun dhe urinën e të prekurve nga ”Fume Event” pikërisht mbeturina të tilla që përjashtohen nga autoritetet e fluturimit. “Në Human-Biomonitoring ne gjejmë përbërës që nuk përshkruhen si pjesë të mjedisit normal, por si përbërës të kerozinëy, naftës dhe lëngjeve hidraulike”, thotë mjekja.
Madje është e vërtetuar që këto lëndë dëmtojnë sistemin nervor dhe mushkëritë, thotë drejtuesja e Ambulancës për Punën dhe Mjedisin në Universitetin e Göttingenit. Nga viti 2014, Heutelbeck ka trajtuar “disa qindra pacientë” të degës së fluturimit ajror me simptoma të tilla, transmeton Klan Kosova.