Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku ka nënshkruan Udhëzimin Administrativ (MI) nr. 05/2017 për shënimin e automjeteve me destinim të veçantë.
Me këtë Udhëzim Administrativ përcaktohen kushtet, forma, ngjyra, madhësia, përmbajtja, mënyra e vendosjes së shenjës dalluese në automjetet e kategorisë A, A1, A2 dhe B, B1, si dhe tabela e cila vendoset në automjetet që bëjnë transportin e organizuar të fëmijëve dhe nxënësve.
Dispozitat e këtij Udhëzimi Administrativ zbatohen për shoferin, i cili e merr patentë shoferin për herë të parë në kategorinë A dhe B dhe që kanë kohën provuese prej dy vjetësh, si dhe shoferin që drejton automjetin, i cili bënë transportin e organizuar të fëmijëve dhe nxënësve.
Shoferi fillestar dhe shoferi i ri duhet që ta vendosin shenjën dalluese – tiketën ngjitëse në automjet, siç është përcaktuar në shtojcën I të këtij Udhëzimi Administrativ.
Tiketa ngjitëse duhet të ngjitet në këndin e sipërm të xhamit ballorë dhe në anën e përparme të xhamit në pjesën e brendshme të automjetit, në anën e bashkudhëtarit (ana e djathtë) në automjetin e kategorisë B1 dhe B, ndërsa te automjetet e kategorisë A, A1, A2 duhet të vendoset mbi ose nën targa të regjistrimit.
Mjetet të cilat bëjnë transportin e organizuar të fëmijëve dhe nxënësve duhet të jenë të shënuara me shenjë të veçantë, siç është përcaktuar në shtojcën II të këtij Udhëzimi Administrativ.