UEFA e cakton gjyqtarin për finalen Spanja – Anglia

Prishtinë | 12 Kor 2024 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

UEFA e ka caktuar gjyqtarin që do të ndajë drejtësinë në finalen e “EURO 2024”, që zhvillohet më 14 korrik në mes të Spanjës dhe Anglisë.

Ai do të jetë francezi, François Letexier.

Loja do të luhet në “Olympiastadion”, në Berlin me fillim nga ora 21:00.

35 vjeçari, referon në ndeshjet ndërkombëtare nga 2017-ta.

Deri më tani ai ka ndarë drejtësinë në 65 ndeshje zyrtare të UEFA-s në karrierën e tij.

Në “EURO 2024”, Letexier ka gjykuar tre ndeshje të fazës së grupeve, duke përfshirë Spanjë-Gjeorgji, Danimarkë-Serbi dhe Kroaci-Shqipëri, dhe ishte arbitër i katërt në ndeshjen hapëse mes Gjermanisë dhe Skocisë në Munchen.

Sezonin e kaluar, francezi ka drejtuar dhjetë ndeshje të garave të klubeve të UEFA-s në UEFA Champions League dhe UEFA Europa League dhe ishte arbitër i katërt në finalen e UEFA Champions League 2024 mes Borussia Dortmund dhe Real Madrid CF në Wembley.

Ai gjithashtu ka qenë gjyqtar i ndeshjes në UEFA Super Cup 2023 mes Manchester City FC dhe Sevilla FC në Piraeus, Greqi.

François Letexier, në finales së dielës do të shoqërohet nga asistentët francezë Cyril Mugnier, Mehdi Rahmouni, dhe polaku Szymon Marciniak do të jetë gjyqtari i katërt.

Ndërkaq në VAR, asisten -video do të jetë po ashtu nga Franca, Jérôme Brisard, i ndihmuar nga Willy Delajod (Francë) dhe mbështetur nga Massimiliano Irrati (Itali). Tomasz Listkiewicz, (Poloni) kompleton ekipin si gjyqtar asistent rezervë.

Të ngjashme