UEFA e gjobit me 200 mijë euro Ballkanin, në rrezik edhe garat evropiane

Prishtinë | 15 Qer 2026 | 20:02 | Nga Ekonomia Online

UEFA ka shqiptuar një gjobë prej 200 mijë eurosh ndaj FC Ballkanit për shkak të vonesave në shlyerjen e detyrimeve financiare.

Klubi suharekas është në mesin e skuadrave të sanksionuara nga Trupi i Kontrollit Financiar të Klubeve (CFCB), i cili ka konstatuar shkelje lidhur me pagesat e vonuara të borxheve.

Përveç gjobës financiare, Ballkani ka marrë edhe një përjashtim me kusht nga pjesëmarrja në garat evropiane. Ky dënim është pezulluar për një periudhë prove prej dy sezonesh dhe do të hyjë në fuqi vetëm nëse klubi përsërit shkelje të ngjashme gjatë sezoneve 2026/27 dhe 2027/28,.
Në të njëjtën listë të klubeve të gjobitura nga UEFA janë edhe CFR Cluj (200 mijë euro), Buduçnost Podgorica (95 mijë euro), Ordabasy Shymkent (75 mijë euro), Sarajevo (20 mijë euro) dhe Athletic Bilbao (10 mijë euro).

Vendimi i UEFA-s përbën një paralajmërim serioz për Ballkanin, i cili tani duhet të respektojë me përpikëri detyrimet financiare për të shmangur përjashtimin nga garat evropiane në të ardhmen.

Të ngjashme