UEFA është duke shtrënguar rregullat ndaj vendeve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si të pavarur që të mos e përjashtojnë si kundërshtarë.
Presidenti i UEFA-së, Aleksandër Çeferin ka thënë të mërkurën nga Baku se secili shtet anëtar i kësaj organizate është i obliguar që ta presë Përfaqësuesen e Kosovës në vendin e vet, por edhe të shkojë në Prishtinë, shkruajnë mediat e huaja, transmeton Klan Kosova.
“Obligohen të gjitha kombëtaret që të luajnë kundër ekipit kombëtar të Kosovës por edhe klubet sipas rezultatit të shortit, që të luajnë në territorin e tyre dhe në territorin e Kosovës”, ka thënë Çeferin.
Katër nga 12 vendet që janë nikoqirë të Kampionatit Evropian 2020 nuk e njohin Kosovën. Ato janë Azerbajxhani, Rumania, Rusia dhe Spanja.
Ndërsa Kosova njihet nga katër kundërshtarët që i ka në grup për kualifikime – Bullgaria, Republika e Çekisë, Mali i Zi dhe Anglia.
“Secila kombëtare ka për të luajtur kundër Kosovës”, është shprehur i pari i UEFA-së.