UEFA gjobit Serbinë për thirrjet anti-Kosovë

Prishtinë | 10 Maj 2023 | 18:01 | Nga Ekonomia Online

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka dënuar Serbinë që të luajë një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 me dyer të mbyllura. Dënimi ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë u dha për shkak të thirrjeve diskriminuese nga tifozët serbë në duelin kundër Malit të Zi.

Tifozët serbë bënë thirrje me bazë etnike në fitoren 2:0 të Serbisë në Podgoricë në mars dhe UEFA sanksionoi gjithashtu Federatën e Malit të Zi për sjellje diskriminuese.

Serbia do të vuajë dënimin kur të presë Hungarinë në shtator. UEFA mori vendimin pas paralajmërimit që e kishte Federata serbe për sjelljen e mëparshme raciste të tifozëve në një ndeshje të Ligës së Kombeve vitin e kaluar. UEFA gjithashtu gjobiti Federatën serbe me 50 mijë euro dhe i ndaloi asaj shitjen e biletave për tifozët për ndeshjen e radhës që përfaqësuesja serbe e luan në udhëtim në kuadër të Grupit G, në Bullgari muajin e ardhshëm.

“Gjobitet Federata e Futbollit e Serbisë me 50,000 €, urdhërohet që të luajë një ndeshje si nikoqire me dyer të mbyllura dhe ndalohet Federata e Futbollit e Serbisë që t’u shesë bileta tifozëve të Serbisë për ndeshjen e radhës, për sjelljen diskriminuese të mbështetësve të saj”, thuhet në vendimin e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s.

Mali i Zi u gjobit me 20 mijë euro nga UEFA dhe duhet të mbyllë një pjesë të stadiumit kur të presë Bullgarinë në shtator.

Në fakt në duelin e luajtur në Podgoricë tifozët e Serbisë kanë tentuar të bëjnë thirrje anti-Kosovë. Ata kanë nisur thirrjen “Kosovo”, me shpresë që tifozët e Malit të Zi do të vazhdojnë me thirrjen “Serbia”. Por serbët janë injoruar plotësisht nga tifozët vendas. Tifozëve serbë kjo nuk u pëlqeu dhe menjëherë filluan me fyerje ndaj Malit të Zi.

Përfaqësuesja e Serbisë i prin grupit të saj kualifikues me gjashtë pikë pas fitoreve në dy ndeshjet e para të këtij cikli. Ndërsa në muajin tetor e pret në shtëpi Përfaqësuesen e Malit të Zi.

Federata serbe dënohet shpesh nga UEFA e FIFA për thirrjet anti-Kosovë të tifozëve serbë.

Të ngjashme