Përfaqësuesja e Kosovës i ka mbyllur me sukses dy takimet që i kishte për muajin qershor, duke arritur të marrë një barazim dhe një fitore për kualifikimet në Kampionatin Evropian, transmeton Gazeta Metro.
“Dardanët” barazuan 1-1 me Malin e Zi në Podgoricë, ndërsa me Bullgarinë fituan në Sofje me rezultat 2-3, me golat e Milot Rashicës, Vedat Muriqit dhe Elbasan Rashanit.
Kosova është aktualisht në Grupin A të kualifikimeve për Euro 2020 me pesë pikë në vendin e tretë, ku Anglia dhe Republika e Çekisë janë lider me nga gjashtë, ndërsa Mali i Zi dhe Bullgaria kanë nga dy pikë.
Milot Rashica ishte lojtari më i dalluar te “Dardanët”, duke arritur që të shënojë në Podgoricë, por edhe në Sofje, ndërsa UEFA e ka “shpërblyer” atë.
Anësori shqiptar kishte një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Bullgarisë, ndërsa UEFA ka kapur një sekuencë kur ai e driblon një lojtar kundërshtar.