Uellsi mbështet Auditorin e Përgjithshëm

Prishtinë | 10 Maj 2017 | 16:59 | Nga

Auditor i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani,  ka pritur për vizitë bilaterale Auditorin e Përgjithshëm të Uellsit (Britani e Madhe), Huw Vaughan Thomas, i shoqëruar nga John Herniman, Drejtor në Zyrën e Auditimit të Uellsit dhe Dr. Clive Grace O.B.E., këshilltar Ndërkombëtar në Shërbime Publike.

Gjatë kësaj vizite, Osmani dhe Thomas kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës dhe Zyrës së Auditimit të Uellsit, përmes së cilës janë pajtuar për bashkëpunim bilateral.

Në fokus të kësaj marrëveshjeje do të jetë zbatimi i plotë i standardeve ndërkombëtare të auditimit në sektorit publik dhe praktikave të mira ndërkombëtare dhe shkëmbimi i përvojave në zhvillimin e institucioneve përkatëse, duke përfshirë zhvillimin e auditimit të performancës, shkëmbimin e praktikave të mira dhe aktivitetet kundër mashtrimit.

Gjatë takimit të zhvilluar pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, z. Osmani dhe z. Thomas kanë biseduar lidhur me trendet aktuale të zhvillimit në auditimin publik dhe praktikat dhe përvojat nga të dyja institucionet. Krerët e të dyja institucioneve janë shprehur të kënaqur me mundësitë për shkëmbim të praktikave të mira, informacioneve dhe materialeve intelektuale me interes të përbashkët.

Thomas bashkë me delegacionin e tij, gjatë ditës kanë zhvilluar takime edhe me përfaqësues të Kuvendit dhe të Qeverisë  së Republikës së Kosovës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme