Ambasadori William G. Walker do të nderohet me çmimin “Doctor Honoris Causa”, në një ceremoni solemne, që do të mbahet sot në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”.
Titulli i jepet ish-shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vitet 1998-1999, me motivacionin: “Për humanizëm dhe guximin e veçantë njerëzor dhe profesional në ruajtjen dhe avancimin e të drejtave universale të njeriut drejt unifikimit të botës demokratike për vlerën jetike të njerëzimit”.
Walker luajti një rol enorm për unifikimin e vendeve demokratike të botës, për reagimin e tyre në ndaljen e akteve çnjerëzore serbe mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë, në vitin 1999.
“Shpërfaqja e këtyre krimeve të papara më së miri u bë me rastin e masakrës së Reçakut. Në mesin e shumë masakrave të tjera, Reçaku zgjoi ndërgjegjen e kombeve perëndimore për ta ndalur agresionin barbar nën moton e lirisë dhe demokracisë”, theksohet në deklaratën e UHZ-së.
Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, ka theksuar se Kosova është me fat që ka miq të tillë, ndërsa Universiteti “Haxhi Zeka” e ka për nder e krenari dhënien e çmimit më të lartë të tij personaliteteve të tilla si Ambasadori William Walker.
“Peja e ka për nderë praninë e tij, ambasadorit Woker, i cili titullin do ta pranojë personalisht. Ambasadori Walker dhe roli i tij historik në sensibilizimin e krimeve makabre të Serbisë millosheviqiane, besoj pa e tepruar i bën nderë edhe vetë titullit që do t’i ndahet. Them kështu duke ditur rolin edhe historik të ambasadorit Walker”, ka thënë rektori Krasniqi për Radio 1.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimit do të marrin pjesë dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti; ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci; ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj; rektorë të universiteteve publike dhe private, përfaqësues të korit diplomatik në Kosovë e emra të tjerë eminentë.
Ndarja e çmimit bëhet në prag të shënimin të 24-vjetorit të Masakrës së Reçakut. Më 15 janar 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes.
Ambasadori Walker, atëherë shef i Misionit verifikues civil të OSBE-së në Kosovë, do të vizitonte menjëherë vendin e masakrës dhe nga aty, do deklarohej qartë për mediet e botës dhe qendrat perëndimore, se aty kishte ndodhur krim kundër njerëzimit, ndaj civilëve të pafajshëm.
“Nga ajo që pashë, nuk ngurroj ta përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”, kishte deklaruar Walker.
Masakra dhe kjo deklaratë e z.Walker trokiti në ndërgjegjen e burrështetasve botërorë, të cilët nuk mundën të qëndronin duarkryq dhe të shikonin si po vritej një popull i pambrojtur. Pas kësaj gjërat morën zhvillime dhe kahje konkrete dhe më 24 mars 1999, NATO-ja filloi bombardimet mbi Serbinë dhe ish-Jugosllavinë, që pas 78 ditësh sollën kapitullimin e Sllobodan Millosheviqit.
Ceremonia do të zhvillohet nga ora 12:00 në Hotel “Dukagjini” në Pejë dhe do të transmetohet “live” edhe në faqet e Facebookut të Universitetit “Haxhi Zeka”, në Ekonomia Online dhe në portalet partnere.
Në këtë ceremoni do të interpretohen dy vepra muzikore të përzgjedhura nga personeli i Fakultetit të Arteve të UHZ.