Ujësjellësi “Prishtina” dërgohen te përmbaruesi mbi 1 mijë raste, 2.2 milionë € borxhe veç në pandemi

Prishtinë | 05 Qer 2021 | 07:55 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka dërguar mbi 1 mijë raste te përmbaruesi si shkak i mospagesës së borxheve.

Në një intervistë për Ekonomia Online, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Sokol Xhafa, tha se mbi 700 raste janë trajtuar nga përmbaruesi kurse 300 raste janë në procedurë e sipër.

“Pjesën e konsumatorëve që i kemi dërguar në përmbarim, kemi filluar në dhjetor të vitit që shkoj, janar dhe shkurt, kurse gjatë muajve mars dhe prill pak a shumë kemi pushuar me këtë rast i kemi trajtuar pjesët e lëndëve që veç janë dërguar, sepse kjo kohë ishte pak edhe më e shprehur pjesa e pandemisë, kishte raste më shumë dhe jemi munduar t’i kursejmë”.

“Do të rifillojmë prapë gjatë këtyre ditëve jemi në finalizim të listave dhe menjëherë do të fillojnë të dërgohen rastet e reja. Janë mbi 700 raste që janë trajtuar nga përmbaruesi dhe mbi 1 mijë raste që janë dërguar te përmbaruesi, përafërsisht 300 raste janë në procedurë e sipër”, tha Xhafa.

Borxhi i akumuluar nga muaji janar e deri në maj shkon deri në 600 mijë euro, thekson Xhafa, ndërsa në totali i borxhit vetëm në pandemi shkon në 2.2 milionë euro.

“Gjendja në total e borxhit është afërsisht 47 milionë, po flasim sot për sot gjendja e borxhit të akumuluar gjatë periudhës së pandemisë 2.2 milionë. Ndërsa gjatë kësaj periudhe nga janari e deri edhe majin është afërsisht 600 mijë euro vetëm kjo pjesa që janë të grumbulluar, sigurisht pjesa e inkasimit e përmbarimi ka bërë që inkasimet të rriten”.

“Por është prapë se prapë për neve shqetësuese sepse kjo pjesa e 47 milionëshit po shkon dhe po rritet, sepse e vendos në pozita të papërshtatshme ndërmarrjen ose na pamundëson të krijojmë shërbime më të mira për konsumatorët tanë”, u shpreh tutje ai.

Tutje ai tha se reduktime nuk kanë aplikuar gjatë kësaj kohe dhe nuk planifikojnë të aplikojnë, vetëm në rast të ndonjë defekti.

“Ne reduktime nuk kemi aplikuar në këtë kohë nuk planifikojmë të aplikojmë fare, e vetmja problematikë mbeten zonat të cilat janë zona të larta dhe që po ndërtohen vrullshëm nga pjesa e ndërtimeve të larta dhe nuk po përcillet me infrastrukturë nga kuvendi komunal i Prishtinës ose nga vet komuna, sepse për fat të keq kemi një invazion ndërtimesh, por me infrastrukturën ka ngec jashtëzakonisht dhe kjo pastaj herë pas here mund të shkaktojë mungesa të ujit në këto pika, ku kërkesa për ujë është  e madhe dhe infrastruktura nuk e përballon, përndryshe ne nuk do të aplikojmë reduktime”, theksoi tutje ai.

“Në liqenin e Batllavës gjendja është e mirë, d.m.th janë pak centimetra në nivelin e kapërderdhjes vazhdon të jetë gjendje stabile sa i përket niveleve janë shumë mirë duke i krahasuar me vitet që kanë kaluar. Pjesa e Badocit është pak më keq por prapë se prapë është gjendje e mirë, do të ishte shumë më mirë të ishte në nivel të kapërderdhjes por nga aspekti i furnizimit me ujë na jep një siguri të mirë dhe besoj që në të ardhmen konsumatorët nuk do të kenë probleme”, deklaroi ai.

Të ngjashme