Ujitja e tokave bujqësore, ministria me master-plan synon zgjidhje

Prishtinë | 07 Jan 2021 | 07:49 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural parasheh që me projektin master-plani për ujitje t’i japë zgjidhje sfidës për ujitjen e tokave bujqësore.

Sipas ministrit në detyrë Besian Mustafa me zbatimin e këtij master-plani, në 12 vitet e ardhshme do të rritet hapësira e tokave bujqësore që përfshihen nën ujitje, nga 20 mijë në 70 mijë hektarë, raporton Ekonomia Online.

“Në shtator kemi miratuar si projekt strategjik edhe Master-Planin për ujitjen e tokave bujqësore në Kosovë që është një përditësim së bashku me Bankën Botërore për herë të parë pas 40 viteve në nivel vendi ku do t’i japim zgjidhje sfidës madhore të ujitjes së tokave bujqësor. Aktualisht kemi rreth 20 mijë hektarë nën ujitje dhe në 12 vjetët e ardhshme do të arrijmë të rrisim edhe 70 mijë hektarë të tjera. Ky është projekti më madhor që do të investojmë mbi 6 milionë euro qoftë përmes fondeve vetanke dhe kredive apo donacioneve duke e trefishuar rendimentin në toka bujqësore”, u shpreh ai.

Mustafa në një intervistë për Ekonomia Online, tha se sezoni i pranverës ka qenë periudha më e vështirë për fermerët dhe agrobizneset.

“Si rezultat i pandemisë Covid-19 veçanërisht që tani po e quajmë vala e dytë e Covid në sezonin e pranverës kur ishte edhe koha e të vjelave pranverore, por një numër i caktuar i kulturave bujqësore patën mungesë të shitjes së produkteve, ku janë mbyllur tregjet, restorante. Prandaj vendosëm si Qeveri të kemi në kuadër të pakos së rimëkëmbjes ekonomike për përkrahjen e bujqve që patën vështirësi në shitje që tu paguajmë subvencionet dy herë në kuadër të pakos së rimëkëmbjes ekonomike. Pra të gjitha subvencionet në kuadër të vitit 2020 janë paguar dy herë”.

Mungesa e shitjes së vjelave nga kulturat bujqësore ka qenë sfida më e madhe e sektorit të bujqësisë, por Mustafa shpreson që ky viti do të jetë më fitimprurës për bujqit.

“Sfida primare ka qenë mungesa e shitjes të vjelave të kulturave bujqësore. Pjesa më e madhe e këtyre dëmeve ka qenë në kohën e pranverës pastaj edhe si shoqëri por edhe sektori i bujqësisë u mësua që të menaxhojmë edhe pandeminë dhe të gjejmë kanale të shitjes së këtyre produkteve. Pra pjesa më e vështirë ka qenë pranvera dhe si rezultat i saj kemi nxjerrë programin e rimëkëmbjes ekonomike. Po shpresojmë që në vitin 2021 do të hyjmë në një vit normal sa i përket sektorit të bujqësisë. Dhe bujqit do të kenë dy herë më shumë fonde në xhirollogarinë e tyre edhe për të mbuluar koston e rendimenteve, por edhe për t’i kaluar mungesën e shitjes nga pandemia Covid-19”.

Për t’i përkrahur fermerët dhe bizneset në rritjen e prodhimit të produkteve, Ministria e Bujqësisë ka vendosur që thirrjen e aplikimeve për grante dhe subvencione ta shpallin nga qershori i vitit 2020 deri në dhjetor të vitit 2021.

“Sa i përket rritjes së prodhimit dhe rritjes së përpunimi të produkteve bujqësore ne kemi programin për zhvillim rural ose siç njihet në popullatë Programi i Granteve. Këtë vit për shkak të pandemisë Covid kemi vendosur që programin ta shpallim nga qershori i vitit 2020 deri në dhjetor të vitit 2021. Pra program 18 muajsh. Dhe kjo arrijnë një vlerë prej 29 milionë euro në kuadër të granteve. Edhe nga BE në përkrahje nga Covid-19 janë ndarë 5 milionë euro Ministrisë së Bujqësisë për t’i dhënë grante bujqve”.

“Në total dhe 2 milionë euro që janë ndarë për subvencionimin e kostos së interesit apo kredive shuma në total arrin 79 milionë euro që do të ndahen në gjysmën e vitit 2020 dhe në fillim të viti 2021”, përfundoi ministri në detyrë Mustafa.

Të ngjashme