Ekonomia e Kosovës është goditur nga Coronavirusi, në të gjithë sektorët e në veçanti në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ku shumë punëtorë kanë humbur vendet e punës.
Madje është paralajmërur edhe ulja e pagave në sektorin publik, për të tejkaluar krizën.
Për këtë cështje Emrush Ujkani, drejtor Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se para se të merret një vendim për uljen e pagave në sektorin publik duhet të mendohet mirë.
Sipas tij, mund të krijohet një situatë jo e mirë, krahas problemeve që Kosova po përballet me Coronavirusin.
“Ne përfaqësojmë një asociacion të sektorit privat të bizneseve private do të thotë neve në këtë rast nuk na takon ndoshta të merremi shumë me këtë çështje, por realisht unë do të them që të gjithë duhet të ndihemi në një moment që jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe shikoni që një pjesë e mirë e sektorit privat apo punësuarve të sektorit privat kanë humbur vendet e punës dhe do të vazhdojnë t’i humbin në ditët që do të vinë dhe tashti në qoftë se dikujt i bie që të sakfrikojë diçka nga kjo”.
“…nëse merret një vendim i tillë duhet të jetë shumë i matur mirë dhe i analizuar mirë sepse mund të krijon një situatë kur natyrisht krahas gjitha këtyre problemeve që ka vendi ti shtohet edhe një tjetër unë mendoj që nuk është e rrugës”.
Mes tjerash ai ka thënë se është ende herët të flitet për rënien e ekonomisë, raporton Ekonomia Online.
Ujkani ka pohuar se parashihet që ulja të jetë diku 4.5 deri në 5%, por thotë se pa përfundimin e pandemisë së Coronaviruist nuk mund të evidentohen humbjet apo pasojat në ekonomi.
“…unë mendoj që është ende herët të flitet për këto rrethana sepse ne nuk e dimë se cili është fundi dhe kur do të jetë fundi i kësaj pandemie dhe pa pas një përfundim të kësaj pandemie në mënyrë zyrtare atëherë është vështirë të flitet për parashikimet”.
“…ajo çka flitet sot nga mekanizmat e ndryshëm unë mendoj që edhe me anëtarët e tonë që janë kryesisht investitorë të huaj, parashihet që të jetë diku 4.5% deri në 5% por edhe njëherë po them që duhet të pritet përfundimi i kësaj pandemie dhe pastaj të vihet në përfundim se cili do të jetë ndikimi ose humbja që do ta pëson ekonomia”.
Ministri në detyrë Financave të Kosovës, Besnik Bislimi tha se u ul papunësia në Kosovë me 6.6 për qind, ndërsa në zyrat e punësimit në Kosovë kanë aplikuar 32 377 persona për të kërkuar punë.