Ukraina po e shqyrton mundësinë e mbylljes së termocentralit bërthamor në Zaporizhzhia, në rast se Kievi zyrtar e humb kontrollin e plotë mbi të.
Siç raportoi BBC-ja të enjten, termocentrali më i madh në Evropë mund ta vazhdojë punën “vetëm nëse komandat vazhdojnë të punojnë”, pavarësisht se zona është nën pushtimin rus.
“Për sa kohë që komandat e kontrollit ekzekutohen, ne nuk do të ndalemi. Por do të shikohet edhe skenari i ndalimit nëse stacioni mund të dalë plotësisht jashtë kontrollit”, deklaroi një zyrtar i paidentifikuar ukrainas.
Impianti që gjendet në juglindje të Ukrainës, aktualisht po e vazhdon punën nga stafi ukrainas, derisa puna po monitorohet nga ekspertë bërthamorë rusë.
Në kohë paqeje, gjashtë reaktorët e Zaporizhzhias prodhonin një të pestën të energjisë elektrike që i nevojitej Ukrainës.
Në mars të këtij viti, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Rusinë për “terrorizëm bërthamor”, pasi forcat e presidentit Vladimir Putin e pushtuan objektin e energjisë bërthamore në Zaporizhzhia.