Numri i vdekjeve ditore nga koronavirusi në Ukrainë ka shkuar për herë të parë mbi 100 pasi në 24 orët e fundit në këtë shtet u regjistruan 108 raste fatale.
Rekordi i mëparshëm i viktimave për një ditë ishte shënuar më 8 tetor, kur ishin regjistruar 93 të vdekur për 24 orë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Këshilli për Siguri Kombëtare tha se deri më tani janë regjistruar 256.266 të infektuar, 4.887 të vdekur dhe 112.570 të shëruar nga sëmundja Covid-19.
Qeveria ukrainase tha të premten se do të hapë më shumë spitale për pacientët me koronavirus pas rritjes së numrit të rasteve ditëve të fundit.
Ekzekutivi gjithashtu është duke i shqyrtuar mundësitë për shtrëngimin e masave kufizuese, të cilat janë lehtësuar gradualisht nga qershori për ta ndihmuar ekonominë.
Gjatë çerekut të dytë të këtij viti, ekonomia e shtetit të Evropës Lindore u tkurr për 11.4 për qind si pasojë e efekteve të pandemisë dhe masave të izolimit.