Forcat ukrainase besojnë se kanë thyer vijën më të vështirë të mbrojtjes ruse në jug dhe tani do të jenë në gjendje të përparojnë më shpejt.
Ata nisën një kundërofensivë në qershor, por linjat mbrojtëse ruse të përgatitura mirë, të përforcuara nga fushat e minuara, kanë ngadalësuar përparimin e tyre drejt jugut drejt Detit Azov, raporton Reuters, transmeton KlanKosova.tv.
Forcat ukrainase thanë të mërkurën se kishin ngritur flamurin kombëtar në vendbanimin Robotyne në rajonin jugor të Zaporizhzhia, rreth 10 kilometra në jug të qytetit të vijës së parë të Orikhiv.
“Ne nuk ndalemi këtu”, tha një komandant që udhëhoqi disa nga trupat në Robotyne dhe përdor emrin “Kombat”.
“Më pas kemi (qytetin) Berdiansk, dhe më pas më shumë. Ua bëra të qartë luftëtarëve të mi menjëherë: qëllimi ynë nuk është Robotyne, qëllimi ynë është (Deti i) Azov”, ka vazhduar ai.
Robotyne është rreth 100 kilometra nga Berdiansk, një port në brigjet e detit Azov dhe 85 kilometra nga qyteti strategjik i Melitopol. Të dyja janë të pushtuara nga forcat ruse pas pushtimit të plotë të Moskës në shkurt të vitit të kaluar. Moska nuk ka konfirmuar se Ukraina ka avancuar në Robotyne.