Tarifa për kalimin në aksin Milot-Morin për banorët e qarkut të Kukësit do të jetë 100 lekë me TVSH për një kalim, ndërkohë që edhe për përdoruesit e tjerë nga Shqipëria e Kosova do të ketë një zbritje nga 10-40% në vartësi të numrit të kalimeve në këtë aks rrugor.
Ndërkohë, duke nisur nga data 17 shtator e këtij viti do të rinisë zbatimi i kalimit kundrejt tarifës në këtë aks, shkruan sot Koha Ditore.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri, bashkë me Ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, prezantuan të premten në Tiranë skemën lehtësuese tarifore të pagesave për përdoruesit e rrugës në aksin Milot-Morin.
Paralel me procesin e negocimit me kompaninë koncesionare janë zhvilluar më shumë se 10 takime konsultative me komunitetin dhe grupet e interesit. Grupi ndërministror i cili ka negociuar me kompaninë koncesionare bazuar mbi këto kërkesa të grupeve të interesit dhe hapësirave buxhetore ka arritur të përmbyllë paketën lehtësuese tarifore për komunitetin lokal. Grupi ka pranuar kërkesën e bizneseve (kryesisht atyre të Kosovës) për të spostuar rinisjen e zbatimit të kalimit me tarifë përtej sezonit aktual turistik. Rrjedhimisht është përcaktuar që kalimi me pagesë në aksin Milot-Morin të fillojë të zbatohet duke nisur nga data 17 shtator 2018.