Kosova do të përballet me pasoja afatgjate nëse nuk i përmbush kërkesat e ShBA-së e BE-së për destabilzimin e situatës në veri. Kërkesa këto që i bëri të dituar emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e që kanë afat deri sot.
Kështu po vlerëson njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala, për Ekonomia Online. Sipas tij, nëse nuk merren parasysh këto kërkesa eksplicite të përfaqësuesve të BE dhe ShBA-së do të kemi sanksione nga të dyja palët.
Ai shton se njëra nga sanksionet mund të jetë pezullimi i liberalizimit të vizave si një argument i fuqishëm që e ka tanimë BE-ja në dorë.
“Kosova në rast se nuk do të përfill kërkesën eksplicite të përfaqësuesve të BE dhe ShBA-ve, pra sanksionet do të jenë nga të dyja palët. Ne do të marrim sanksione në procesin integrues të Kosovës në BE dhe mekanizma të tjerë evropian, ku do të jetë edhe pezullimi i liberalizimit të vizave si një argument i fuqishëm që e ka tanimë BE në dorë”, tha ai.
Ai tha se do të ketë edhe sanksione sa i përket aspektit ushtarak që do ta ngadalësojnë një mori procesesh të FSK-së, raporton EO.
“Ndërsa Në anën tjetër do të marrim sanksion sa i përket aspektit ushtarak me të cilin FSK-ja ka bashkërendim dhe bashkëpunim për gjatë këtyre vite që kemi lëmë pas. Me qenë që Kosova është në fazën e dytë të tranzicionit në kuadër të FSK kjo në fakt do të ngadalësoj një mori procesesh me të cilat ka hyrë në mënyrë kontraktuale FSK me ushtrinë amerikane”.
“Mund të presim sanksione edhe nga SHBA si partneri jonë strategjike dhe mund të presim sanksione në procesin e rrugës drejtë liberalizimit, proceseve integrueses euroatlantike të cilat i kemi në drejtim të Brukselit dhe kjo do të jetë e vështirësuara në aspektin e edhe të harmonizimeve të politikave ditore për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Ultimatumi i Emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin që ta depërshkallëzojë situatën në veri të Kosovës përfundon sot.
Pasoja të mëdha për raportet tashmë të lënduara të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkësinë ndërkombëtare janë paralajmëruar nëse këto kërkesa nuk përfillen.