Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, Ozkan Ulutas, ka deklaruar se misioni i KFOR-it është i gatshëm t’i përgjigjet çfarëdo kërcënimi.
Ulutas,ka thënë se KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
“KFOR-i ka ofruar ambient të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë për rreth 25 vjet. Do ta vazhdojmë këtë edhe më 2024. Do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar tensionet nga eskalimet dhe dëshiroj të siguroj se jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çfarëdo kërcënimi”, ka thënë ai për AA, raporton TRT.
Turqia mori komandën e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR) tetorin e kaluar, me Ulutas që zyrtarisht mori përgjegjësinë në një ceremoni në kryeqytetin Prishtinë. Sipas tij, populli i Kosovës dëshiron të jetojë në paqe dhe siguri të përhershme.
Ulutas ka thënë se NATO-ja mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ka përsëritur se e vetmja rrugë përpara është paqja dhe stabiliteti për njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Komandanti turk ka theksuar se KFOR-i do ta vazhdojë misionin në Kosovë për sa të ketë nevojë.
“Dialogu Beograd-Prishtinë është e vetmja rrugë për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”.