UNDP dhe Ambasada Mbretërore Norvegjeze me marrëveshje për siguri dhe qasjen në drejtësi

Prishtinë | 07 Nën 2018 | 13:47 | Nga Ekonomia Online

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Ambasada Mbretërore Norvegjeze nënshkruan një marrëveshje për të adresuar çështjet e sigurisë që pasojnë nga krimi kibernetik dhe për të përmirësuar qasjen në drejtësi dhe sundimin e ligjit për qytetarët.

Këto dy iniciativa të reja bazohen në punën ekzistuese dhe të suksesshme të UNDP-së në fushat e sigurisë dhe sundimin të ligjit. Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, komponenti i luftës kundër krimit kibernetik do të përqendrohet në zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe individuale për të siguruar reagimin adekuat dhe në kohë ndaj këtij kërcënimi modern. Komponenti i Qasjes në Drejtësi dhe Sundim të Ligjit do të ndihmojë institucionet e Kosovës në adresimin e çështjeve të efikasitetit të gjykatave dhe qasjes së njerëzve në drejtësi dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me kohë.

Ambasadori norvegjez Per Strand Sjaastad konfirmoi angazhimin e vazhdueshëm të vendit të tij në Kosovë dhe bashkëpunimin afatgjatë me UNDP-në që daton nga viti 2001. “Ne jemi krenar që me UNDP-në vazhdojmë me këto projekte jashtëzakonisht të rëndësishme që për synim kanë mbështetjen e institucioneve kosovare”, tha me këtë rast ambasadori Sjaastad.

Qeveria norvegjeze dhe Ambasada në Prishtinë janë avokatë të fuqishëm për të përmirësuar të drejtat e njeriut, funksionimin e sundimit të ligjit dhe ngritjen e sigurisë publike dhe institucionale në Kosovë dhe vazhdojnë të punojnë me zyrën e UNDP-së në Kosovë në ofrimin e mbështetjes teknike dhe ekspertizës për të arritur këtë qëllim.Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, njëherit Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Ulrika Richardson, shprehi vlerësimin e saj për Qeverinë Norvegjeze për besimin e dhënë dhe angazhimin e tyre ndaj UNDP-së në mbështetjen e këtyre dy iniciativave.Vlera e përgjithshme e marrëveshjes së nënshkruar kap shumën e mbi 1.3 milion euro.

Të ngjashme