Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Ministria e Drejtësisë, Ambasada e Norvegjisë, dhe Kolegji “ILIRIA” kanë mbajtur një diskutim me temë tri punimet më të mira me temë “Ndërmjetësimi si mënyrë alternative e zgjedhjes së mosmarrëveshjeve mes palëve”.
Aty u theksua se ndërmjetësimi është vegël shumë e rëndësishme për ta promovuar sistemin e drejtësisë dhe mënyra më e mirë e zgjedhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve, raporton Ekonomia Online.
Pjesë e kësaj ceremonie ishin: Andrew Russell, koordinator i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së, Florian Dushi, zv.ministri i Drejtësisë, Per Strand Sjaastad, Ambasador i Norvegjisë në Kosovë, Prof. Dr. Mixhait Reçi, President i Kolegjit “ILIRIA”, profesorë, studentë dhe zyrtarë.
Florian Dushi, zv.ministër i Drejtësisë tha se kjo fushatë ka rëndësi të veçantë për ndërmjetësimin si mekanizëm i ri. Ai konsideroi se për sistemin e drejtësisë dhe shoqërinë tonë ndërmjetësimi konsiderohet si mekanizëm jo aq i njohur.
“Ndërmjetësimi në Kosovë ka pikënisjen me miratimin e Ligjit të vitit 2007 si mekanizëm i ri për qëllim sistemin juridik të Kosovës për të ndihmuar sundimin e ligjit dhe ndihmon në proceset e tjera të drejtësisë në Kosovë. Kjo ka për qëllim jo vetëm problemin e palëve të caktuar por ishte edhe kërkesë e vazhdueshme e ndërkombëtarëve për të ndihmuar edhe gjykatat e prokuroritë tona të cilat janë të stërngarkuara me lëndë”, tha ai.
“Nga viti në vit kemi pasur raste të cilat janë referuar të zgjidhen mes këtij mekanizmi. 2012,13,14,15 dhe viti 2016 janë paraqitur ndërmjetësues, ku mbi 80% e rasteve janë zgjidhur”, ka thënë Dushi duke shtuar se licencimi i ndërmjetësuesve do të jetë konform kërkesave evidente.
Ai përmendi se në gjithë territorin e Kosovës ka rreth 170 ndërmjetësues.
Andrew Russell, koordinator i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së, ka thënë se UNDP-ja është duke i fuqizuar qasjet në drejtësi për të gjithë kosovarët.
“Këto përfshirje me student janë të rëndësishme, sepse po lëvizim për një sistem afatgjatë. Jemi këtu për të promovuar paqen në Kosovë. Falënderoj zv.ministrin dhe partnershipin e fort me MD-në dhe vlerësoj lartë partnershipin e gjatë të Norvegjisë që e kanë mbështet Kosovën dhe kanë ndihmuar që Kosova të jetë brenda shtëpisë saj në Evropë”, tha ai.
“Puna të cilën ne e bëjmë në Kosovë është e gravuar. Edhe pse ndodheni të izoluar në Kosovë ju jeni pjesë e sistemit global. Puna që po e bëni ju këtu në Kosovë, puna në media ndërmjetësimi është pjesë e lëvizjes globale. Ndërmjetësimi është vegël shumë e rëndësishme për ta promovuar sistemin e drejtësisë”, ka thënë Russell, duke inkurajuar studentët për të vazhduar për të punuar në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
” Nëse ju nuk e udhëheq Kosovën kush do jetë në krye të saj”, iu tha ai studentëve.
Per Strand Sjaastad, Ambasador i Norvegjisë në Kosovë, tha se Norvegjia ka qenë e dedikuar që t’i ndihmoj Kosovës që të ketë një sistem më të mirë ligjor.
“Drejtësia duhet të jetë e qasshme për të gjithë. Gjykatat me lëndë të mëdha numri i vogël i gjykatësve janë sfidat dhe parandalojnë që të kërkohet drejtësia në Kosovë. Kjo më sjell në temën e stome me ndërmjetësimin. Vetë palët mund të zgjedhin problemin duke paguar një ndërmjetësues që është më i besueshëm për ta”.
“Në Norvegji e kemi përdorur këto dhe ka dalë më efikase. Ne kemi pasur disa eksperienca dhe e di që Kosova po bënë zhvillim të këtij procesi. Në Norvegji ne e kemi bordin e ndërmjetësuesve, e cila është në secilën komunë. Dhe ky bord është i obligueshëm deri në vlerë prej 50 mijë euro. Viti i kaluar ka pasur rreth 80 mijë raste të zgjidhura në Norvegji”, tha ambasadori norvegjez duke dhënë shembuj të mekanizmit ndërmjetësues në Norvegji.
“Me ndërmjetësues nuk ka humbës, por gjithsecili përfiton, është ajo që potenco Stjaastad, duke thënë se me metoda e pleqësirë nuk është zgjedhje”, ka thënë ai.
Kjo ngjarje u mundësua si rezultat i fushatës së filluar një muaj më parë me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve, me theks të veçantë rinisë, për rëndësinë e zhvillimit të mëtejmë dhe promovimit të ndërmjetësimit.
Në kuadër të fushatës, janë mbajtur prezantime për studentë të Kolegjit “ILIRIA” dhe është lansuar gara për tekstin më të mirë. Janë pranuar 20 punime prej të cilave paneli vlerësues zgjodhi tri më të mirat.
Çmimin e tretë e ka marrë studentja, Fevzie Ramadani, çmimin e dytë, Kreshnik Mehmeti, ndërsa çmimin e parë e ka fituar studentja, Aulonë Nuhiu.