Serbët ndihen më pak të sigurt kur janë jashtë në rrugë, thuhet në raportin e Pulsit Publik të UNDP-së që tregon perceptimin e qytetarëve për shumë çështje, përfshirë sigurinë nga dhuna e krimi në rrugë.
Në raport thuhet se “është shënuar një rënie e perceptimit të serbëve të Kosovës për sigurinë në shkallë prej 5.7 pikë të përqindjes krahasuar me nëntorin e vitit 2023, kur kjo shifër ka qenë 37.6%”. Tani përqindja është 31.9 e serbëve që thonë se nuk ndihen shumë të sigurt.
“Të dhënat e anketës së majit të vitit 2024 kanë treguar një rritje të perceptimit të njerëzve për nivelin e tyre të sigurisë, ku 83.2% kanë deklaruar se ndjehen shumë të sigurt ose deri diku të sigurt kur janë jashtë në rrugë, krahasuar me 79.73% në nëntor të vitit 2023. Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë kanë treguar se një numër pak më i madh i burrave sesa i grave ndjehen të sigurt kur janë jashtë në rrugë, përkatësisht 83.4% dhe 82.9%”, thuhet në raport.
Ndërsa, te shqiptarët dhe komunitetet e tjera ka dalë përqindje më e madhe se vitin e kaluar që kanë thënë se ndihen më të sigurt.
“Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike kanë treguar se një numër më i madh i shqiptarëve të Kosovës (85.3%) dhe komuniteteve të tjera të Kosovës (83.2%) krahasuar me serbët e Kosovës (31.9%) ndjehen të sigurt kur janë jashtë në rrugë. Krahasuar me të dhënat e nëntorit të vitit 2023, të dhënat kanë treguar rritje të perceptimit për sigurinë prej 4.5 pikë të përqindjes tek shqiptarët e Kosovës dhe rritje prej 3.2 pikë të përqindjes tek komunitetet e tjera të Kosovës, me ç’rast këto shifra janë evidentuar si 80.8% dhe 80.0% përkatësisht”.