UNFPA: Pa u rritur barazia gjinore, nuk ka gjasa të lehtësohet kriza demografike në Evropën Lindore

| 10 Kor 2023 | 11:35 | Nga

Pa përmirësime të dukshme në fushën e barazisë gjinore, nuk ka gjasa që shtetet e Evropës Lindore ta tejkalojnë krizën demografike me të cilën po përballen, paralajmëroi sot Zyra për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore e Fondit për Popullsinë të Kombeve të Bashkuara, gjatë kremtimit të Ditës Botërore të Popullsisë.

Dekada të tëra emigrim dhe natalitet i ulët i kanë lënë shtetet e Evropës Lindore me popullsi në rënie dhe në plakje. Përpjekjet e qeverive për nxitjen e rritjes së natalitetit, kryesisht kanë dështuar.

“Shumë njerëz ende mendojnë se sikur gratë të lindnin më shumë fëmijë, nuk do të kishim derte demografike”, thotë Florence Bauer, Drejtore e Zyrës Rajonale të UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

Gjasat që të ndodhë kjo gjë janë shumë të vogla: asnjë vend në Evropë nuk ka arritur t’i afrohet nivelit që kërkohet për ndalimin e zvogëlimit të popullsisë, apo për shtimin e saj. Kurse përpjekjet që gratë të lindin më shumë fëmijë munden fare lehtë t’i vënë në rrezik të drejtat e tyre riprodhuese dhe statusin e tyre të barabartë në shoqëri.

“Kur trupat e grave shihen thjesht si instrumente për arritjen e idealeve abstrakte të popullsisë, është afërmendsh që nuk janë larg edhe thirrjet për kufizimin e të drejtës për zgjedhje të grave në lidhje me fëmijët dhe familjen”, tha znj. Bauer.

Kjo kërcënon ta shuajë progresin e arritur për dekada me radhë në lidhje me barazinë gjinore, duke i kthyer gratë përsëri në statusin e qytetarëve të klasit të dytë, me vlerën e tyre të përcaktuar kryesisht nga roli i tyre në lindjen e fëmijëve dhe kujdesin për ta.

Vetëm përmes rritjes së barazisë gjinore, jo kufizimeve të të drejtave të grave, shtetet do të arrijnë ta përforcojnë gjendjen e tyre dhe ta kapërcejnë krizën demografike me të cilën po përballen. Diskriminimi dhe përjashtimi i përhapur i grave në shoqëri dhe ekonomi çon në humbje të kapitalit të vlefshëm njerëzor. Kjo i dobëson më tej këto vende, në të cilat fuqia punëtore dhe talentet veç janë zbehur nga dekada të tëra emigrim. Kjo sjell natalitet të ulët dhe emigracion të lartë, duke i përkeqësuar kështu sfidat demografike të rajonit.

Efektet pozitive të barazisë gjinore për ekonomitë dhe shoqëritë janë kuptuar dhe dokumentuar mirë. Banka Botërore vlerëson se mbyllja e hendekut gjinor në fuqinë punëtore, për shembull, do ta rriste mesatarisht për pothuajse 20 për qind BPV-në për kokë. Një studim i kohëve të fundit i Kombeve të Bashkuara konstatoi se rritja e barazisë gjinore në fuqinë punëtore do të bënte shumë më tepër sesa kthimi në fertilitet më të lartë për mbështetjen e ekonomive në shoqëritë në plakje dhe me fertilitet të ulët. 

Shtetet mund të bëjnë shumë për përmirësimin e barazisë gjinore dhe për forcimin e reziliencës së tyre ndaj ndryshimeve demografike – nga vendosja e politikave për familjen që sjellin përfitime për burrat dhe gratë deri te luftimi i dhunës në baza gjinore, nga adresimi i normave sociale që u japin më pak vlerë grave dhe vajzave deri te ndihma për kompanitë që t’i reformojnë politikat diskriminuese në vendin e punës.  

Vendet i kanë mundësitë të lulëzojnë gjatë ndryshimeve demografike. Por, që kjo të ndodhë, është koha t’i jepet fund fiksimit të përhapur tek nataliteti, dhe rrjedhimisht tek trupat e grave, dhe ta kuptojmë se kjo teori është thjesht një shpërqendrim masiv që na pengon të gjejmë zgjidhje që funksionojnë realisht dhe nuk i cenojnë të drejtat e qytetarëve”, shton znj. Bauer.

Me mbi 50 vjet përvojë dhe prani në rreth 150 vende të botës, UNFPA-ja është agjencia kryesore për këshillimin e qeverive për politikat për popullsinë, të drejtat riprodhuese dhe barazinë gjinore. Nisma e saj rajonale, Programi për Reziliencë Demografike, është dizajnuar për t’u mundësuar vendeve të lulëzojnë në botën e sotme me ndryshime të shpejta demografike.

Të ngjashme