Zyra e UNFPA-së në Kosovë ka dorëzuar 3 ventilatorë dhe mbi 30,000 njësi të Pajisjeve për Mbrojtje Personale – PMP në klinikën gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie, ku thuhet ndër të tjera se “këto pajisje dhe PMP do të mbrojnë ofruesit e shërbimeve të maternitetit përfshirë mjekët, mamitë dhe të gjithë punonjësit e tjerë të kujdesit shëndetësor që ofrojnë kujdes për nënat dhe të porsalindurit”.
Drejtori i klinikës, Jakup Ismajli shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të UNFPA në këtë kohë nevoje.
Ismaili tha se deri më sot numri i nënave me COVID-19 që kanë lindur foshnjat e tyre në këtë klinikë ka arritur në 45 dhe këto pajisje dhe PMP janë thelbësore që personeli mjekësor të jetë në gjendje të mbrojë veten dhe të vazhdojë punën e tyre.
Nga ana tjetër, Zarife Miftari, Analiste për Shëndet Riprodhues dhe Rini në UNFPA, tha që të gjitha gratë shtatzëna dhe të porsalindurit e tyre, duke përfshirë ato me infeksione të konfirmuara ose të dyshuara nga COVID-19, kanë të drejtë për kujdes cilësor para, gjatë dhe pas lindjes dhe objektivi ynë është të ndihmojmë institucionet e kujdesit shëndetësor të ofrojnë këto shërbime në mënyrën më të mirë të mundshme.
UNFPA është agjencia e shëndetit seksual dhe riprodhues e Kombeve të Bashkuara e përkushtuar për të krijuar një botë ku çdo shtatzëni dëshirohet, çdo lindje është e sigurt dhe potenciali i çdo të riu plotësohet.