Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë të drejtat e njëjta si të gjithë fëmijët. Nëse u jipen mundësitë e njëjta për të lulëzuar si çdo fëmije tjetër, ata kanë potencial për të bërë jetë të lumtur dhe të dinjitetshme dhe për të kontribuar në vitalitetin shoqëror, kulturor dhe ekonomik të komuniteteve të tyre.
Megjithatë, mbijetesa dhe zhvillimi mund të jenë veçanërisht të vështira për fëmijët me aftësi të kufizuara. Identifikimi i personave me aftësi të kufizuara duhet të bazohet në një vlerësim holistik që merr parasysh vlerësimin e profesionistëve të shumtë nga një mori disiplinash/sektorësh.
Duke pasur paraysh praninë globale të aftësive të kufizuara sipas OBSH-së, mund të vlerësohet se prania e aftësive të kufizuara do të llogaritej nga 10 deri në 15 përqind.
Numri i personave me aftësi të kufizuara në Kosovë nuk dihet. Përderisa janë mbledhur të dhëna në vitet e fundit, si në Regjistrime ashtu edhe përmes mjeteve administrative, nuk ka numër të saktë që mund ta përkrahë vendimmarrjen e bazuar në të dhëna sepse përdoren përkufizime të shumta të aftësive të kufizuara nga institucione dhe akterë të shumtë.
Përkundër shumë hapave pozitivë që janë ndërmarrë nga institucionet përkatëse, OJQ-të, mediat dhe organizatat ndërkombëtare në Kosovë, UNICEF-i dhe partnerët bëjnë thirrje që sfidat kryesore me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre të adresohen dhe të bëhen pjesë e dukshme e agjendës së Kosovës për zhvillim.