UNICEF’i i ka dhuruar Ministrisë së Shëndetësisë 500,000 doza të tretësirës deksametazon për injeksion, një bari që përdoret për një varg të gjerë të sëmundjeve – kritik për trajtimin e pacientëve me gjendje të rëndë nga COVID-19, raporton Gazeta Express.
Sipas zyrës së UNICEF-it në Kosovë, dorëzimi i këtyre produkteve – me vlerë totale prej 186,000 dollarë amerikanë është financuar nëpërmjet Përshpejtuesit për Qasje në Mjetet ndaj COVID-19.
Nga UNICEFI po ashtu kanë thënë se do t’i dhurojnë Kosovës edhe 556,620 vaksina shtesë kundër COVID-19 nëpërmjet mekanizmit COVAX deri në fund të vitit.
Njoftimi i plotë:
Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe sistemit shëndetësor në Kosovë, UNICEF-i dhuroi sot 500,000 doza të tretësirës deksametazon për injeksion, një bari që përdoret për një varg të gjerë të sëmundjeve – kritik për trajtimin e pacientëve me gjendje të rëndë nga COVID-19.
Dorëzimi i këtyre produkteve – me vlerë totale prej 186,000 dollarë amerikanë – është financuar nëpërmjet Përshpejtuesit për Qasje në Mjetet ndaj COVID-19 (Fondi për Financimin e Furnizimeve ACT-A (ACT-A SFF)), të krijuar nga UNICEF-i. Që nga viti 2019, Zyra Rajonale e UNICEF-it dhe Zyrat e Vendit në Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore (ECAR) kanë dhënë mallra programatike në vlerë më të madhe se 47 milionë $.
Deri më tani, Zyra e UNICEF-it në Kosovë e ka mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë me një donacion prej 163,020 vaksina kundër COVID-19 nëpërmjet COVAX.
Nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë, UNICEF-i e ka mbështetur Sistemin Informativ Shëndetësor nëpërmjet dixhitalizimit të moduleve të regjistrimit dhe caktimit të terminit për vaksinat kundër COVID-19.
Mbështetje shtesë i është ofruar Ministrisë së Shëndetësisë në përgatitjen e vendeve për vaksinim në komuna. Kjo ka përfshirë ofrimin e pajisjeve të TI-së për printimin e kartelave të vaksinimit – si laptopëve dhe printerëve – si dhe pajisjeve tjera për sigurimin e infrastrukturës së duhur të vendeve të vaksinimit. Që nga fillimi i pandemisë, UNICEF-i i ka mbështetur institucionet për parandalimin dhe trajtimin e COVID-19 nëpërmjet ofrimit të 24 tonë PPM dhe 40 përqendruesve të oksigjenit.
“Ministria e Shëndetësisë shpreh mirënjohje për bashkëpunimin me UNICEF-in me sigurimin e kësaj terapie të nevojshme për pacientët që marrin shërbime në institucionet shëndetsore publike në Kosovë, ” – theksoi Dr. Faik Hoti, Udhëheqës i Komunikimit në Ministrinë e Shëndetësisë.
Zyrja e UNICEF-i në Kosovë do t’i durojë edhe 556,620 vaksina shtesë kundër COVID-19 nëpërmjet mekanizmit COVAX deri në fund të vitit.
Përfaqësuesit e UNICEF-it nënvizuan në ceremoninë e dhurimit të donacionit partneritetin që kanë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe mbështetjen në zbatimin e fillimit të Planit Kombëtar të Kosovës për Shpërndarje dhe Vaksinim, i cili po vazhdon për të gjitha grupet me prioritet. Përveç dorëzimit të donacioneve, UNICEF-i do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet e Kosovës në rritjen e njohurive dhe vetëdijesimin për vaksinat kundër COVID-19, promovimin e praktikave kyçe të parandalimit dhe inkurajimin e të gjithë qytetarëve që të vaksinohen.