Unioni Demokratik Studentor, përmes rrjetit social, ka njoftuar se sot, është mbajtur online, mbledhja e menaxhmentit të UP-së, së bashku me senatorët nga radhët e studentëve, ku janë trajtuar disa çështje të rëndësishme.
Është aprovuar afati i prillit për dhënien e provimeve, që do të mbahen më 1 dhe 2 qershor, si dhe është shqyrtuar kërkesa për heqjen e kushtit për njohjen e gjuhëve të huaja A2 për studentët, sepse preket buxheti i familjeve të studentëve. Çështja e njohjes së gjuhëve të huaja, sipas UDS, mund të konfirmohet edhe me diplomat e kurseve tjera.
Ja postimi i Unionit Demokratik Studentor në rrjetin social:
“Sot është mbajtur mbledhja online e menaxhmentit të UP-së, së bashku me senatorët nga radhët e studentëve! Nga Organizata UDS, si përfaqësues i studentëve ishte senatori Jeton Deliu. Nga mbledhja e sotme u morën disa vendime shumë të dobishme për studentët. Afati i prillit si afat i jashtëzakonshëm të organizohet në qershor, pra si qershori 1 dhe qershori 2. Ne, si organizatë jemi përpjekur në vazhdimësi që afati i prillit të mos eleminohet, dhe si rrjedhojë e saj kërkesat ishin të vazhdueshme në adresim të menaxhmentit, dhe sot po e shohim që kërkesa jonë u aprovua! Lidhur me nivelin A2 të gjuhëve të huaja, do të merret vendim ditëve në vijim, dhe as në këtë problem, kërkesa e UDS nuk ka munguar, pra ne kemi kërkuar që ky kusht për pranimin në master të largohet ose të kenë vlerë edhe diplomat e kurseve tjera, sepse në këtë mënyrë po preket direkt buxheti i familjeve të studentëve të UP-së dhe normalisht që ne jemi kundër çdo vendimi që është në dëm të studentëve. Zëri juaj në UP është UDS!”