Unioni Europian po shndërrohet në union proteksionist dhe asgjë më tepër

Prishtinë | 03 Dhj 2018 | 22:44 | Nga Ardian Gjini

Fakti që blloku më i madh politik dhe ekonomik në botë, Unioni Europian, nuk është në gjendjet’i sigurojë lëvizje të lirë një vendi të vogël dhe të vetmit në kontinent është shumë më shumë se vetëm dështim eklatant i mbajtjes së fjalës.

Dështimi i liberalizimit të regjimit të vizave për Kosovarët është dështim i Europes për të qenë e mirë edhe për tjerët, jo vetëm për vetveten. Mirësia ndaj tjerëve është parakusht për madhështinë! Alexis de Tocqueville ka qenë gati profetik!

SOT në pyetje është Kosova e vogël, larg prej të qenit perfekte, në asnjë aspekt. Por besoj se nuk ka përcjellës objektiv të rrethanave në Ballkan që nuk e di se Kosova në asnjë aspekt nuk është vendi më i keq në rajon. As për sundim të ligjit, as për liri të medias, as për kontrabandë dhe trafikim as për asnjë parametër demokratik. Tjerat vende ka kohë që nuk kanë regjim të vizave. As ato që kanë gjendje të hapur lufte.

NESER do të ketë vende tjera të cilat do të kërkojnë marrëdhënie edhe më të komplikuara me Unionin. Dhe Kosova po del të jetë shenja më e kjartë se si do të sillet Unioni në të ardhmen. Dikush edhe do të mendojë se Europa është shumë e madhe dhe se lehtë i absorbon këto probleme. Por nëse ky Union, që thirret më së shumti në liri të lëvizjes, bashkim, demokraci e të drejta të njeriu, dështon t’iu garantojë të drejtën më elementare, 1.8 milion njerëzve, që deri sot kanë besuar se janë fatlum që janë të rrethuar me Bashkimin Europian, atëherë problemi do të jetë edhe më i madh, skepticizmi edhe më i madh dhe besimi i Europës në vetveten do të shkundet.

Kjo që po dëshmohet me Kosovën është shenjë se Unioni Europian është një kompleksitet i institucioneve që ka aftësinë vetëm për të vendosur barriera mbrojtëse, apo t’i shpenzojë ca Euro që janë shumë më të lira se sa harmonizimi i tekave të vendeve anëtare.
Ndoshta Brexit është këmbana që nuk është dëgjuar si duhet. Të gjithë njerëzit që e duan Europën e bashkuar, përpos të shpresojnë se Brexit është vetëm një ëndërr e keqe, duhet ta vendosin llupen tek liberalizimi i vizave për Kosovën. Aty do të shihet defekti esencial i Unionit.

Në ndërkohë, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të jetojnë në këtë realitet. Të vetmit të izoluar, mu nga ata prej të cilëve kanë pritur më së shumti, e që sot iu krijojnë ndjenjën se i konsiderojnë njerëz të një rangu më të ulët.

E edhe nëse një ditë Europa i ‘lejon’ qytetarët e këtij vendi të vogël në mes të kontinentit që të paktën të lëvizin lirshëm, kjo do të jetë pothuajse një dhuratë pas poshtërimit.

Të ngjashme