Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka marrë vendim për pezullim të punës së profesorëve të cilët janë zgjedhur deputetë të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, zyra e Rektoratit të UP-së, ka bërë të ditur se ky vendim është marrë për gjithsej 11 profesorë.
Profesorët për të cilët është marrë vendim, vijnë nga të gjitha partitë shqiptare parlamentare, ndërsa kanë ligjëruar në fakultete të ndryshme të UP-së.
Ndër ta është edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e ish-kryeministri Avdullah Hoti.
Lista me 11 deputetët të cilët nuk mund të ushtrojnë profesionin e profesorit universitar në të njëjtën kohë:
1.Prof.dr. Enver Hoxhaj, (Fakulteti Filozofik);
2.Prof.ass.dr.Ardian Kastrati, (Fakulteti Filozofik);
3.Prof.ass.dr. Ardian Gola, (Fakulteti Filozofik);
4.Ass.dr.Fitim Uka, (Fakulteti Filozofik);
5.Prof.dr. Kujtim Shala, (Fakulteti Filologjik);
6.Prof.dr. Avdullah Hoti, (Fakulteti Ekonomik);
7.Prof.ass.dr. Hikmete Bajrami, (Fakulteti Ekonomik);
8.Ass. Eliza Hoxha, (Fakulteti I Arkitekturës);
9.Prof.asoc.dr. Ferat Shala, (Fakulteti Inxhinierisë Mekanike);
10.Prof.asoc.dr. Shemsedin Dreshaj, (Fakulteti i Mjekësisë) dhe
11.Prof.ass.dr.Albena Reshitaj, (Fakulteti i Mjekësisë).
Ditë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme kishte dhënë një opinion ligjor në drejtim të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në të cilën është kërkuar që 11 profesorët që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, të pezullojnë punën e tyre në UP.
“Në rast se nëpunësi i shërbimit publik zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë rastin e tij Ligji Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik në nenin 22, paragrafi 6 e ka përcaktuar kësisoj: “Në rastin e zgjedhjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, zyrtari publik, i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit të zgjedhjes së kandidatit, deri në përfundim të mandatit përkatës, në pozitë ekuivalente”, thuhet në opinionin ligjor.