Është lansuar zyrtarisht “Arizona State University’s AI Career Upskilling Programs in Kosovo”, program i cili është pjesë e rëndësishme e edukimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit me industrinë “ASU Learning Enterprise”, raporton Ekonomia Online.
Pjesë e këtij programi janë gati 200 000 certifikime të ndryshme të cilat i ofrohen studentëve dhe profesionistëve me qëllim të përmirësimit të aftësive apo ri-kualifimit në mënyrë që të jenë më të konkurrueshem në tregun e punës.
Alejtin Berisha, president i Kolegjit Ndërkombëtar Universum, tha se me lansimin e Programit të Përmirësimit të Fuqisë Punëtore të AI të ASU-së, do të iu mundësojnë kosovarëve të fitojnë ekspertizë kritike në Inteligjenca Artificiale (AI), në përputhje me nevojat e industrive në mbarë botën.
Ai ka thënë se ky partneritet fuqizon Kosovën që të bëhet një lider rajonal në revolucionin e AI. Berisha ka theksuar se bashkëpunimi i ASU dhe UNI po krijon shtigje që fuqizojnë Kosovën të ngrihet si model për arsim dhe inovacion në rajon.
“Inteligjenca artificiale (AI) nuk është më një ide futuriste; është këtu, duke rimenduar mënyrën se si ne punojmë, ndërveprojmë dhe ndërtojmë ekonomitë tona. Në 5-10 vitet e ardhshme, AI do të integrohet pothuajse në çdo fushë, nga kujdesi shëndetësor në financa dhe nga arsimi në bujqësi”.
“Këtu në Kosovë, si në mbarë botën, sektori privat dhe publik do të kërkojnë një fuqi punëtore që mund të përshtatet, të mësojë dhe të rritet në një peizazh që ndryshon me shpejtësi. Dhe me këtë, ne kemi një nevojë urgjente për të përmirësuar aftësitë tona të fuqisë punëtore me AI, si dhe për t’i rikualifikuar ata në sektorë ku AI do të zëvendësojë shumicën e punëve aktuale që kemi. Dhe në këtë moment transformues, ne në Kolegjin Ndërkombëtar Universum jemi krenarë – thellësisht krenarë – që fuqizohemi nga Universiteti Shtetëror i Arizonës, universiteti më inovativ i Amerikës për 10 vjet rresht dhe universiteti më i madh publik me 180 000 studentë dhe një buxhet që tejkalon 5.6 miliardë dollarë. E renditur si i pari në ndikimin dhe qëndrueshmërinë globale, ASU ka vendosur standarde që ripërcaktojnë atë që është e mundur në arsimin e lartë. ASU ishte e para që u bë partnere me OpenAI, duke e vendosur atë në mënyrë unike në kryqëzimin e kërkimit, aplikimit dhe kornizave etike të AI, duke e bërë atë lider global në AI dhe arsim”.
“Me ASU, studentët tanë fitojnë akses në mundësi të pakrahasueshme akademike, duke i përgatitur ata të jenë liderë në fushat e së nesërmes. Por më e rëndësishmja, ky partneritet fuqizon vendin tonë që të bëhet një lider rajonal në revolucionin e AI. Sot, ne lansojmë Programet e Përmirësimit të Fuqisë Punëtore të AI të ASU-së për t’u mundësuar kosovarëve të fitojnë ekspertizë kritike në AI, në përputhje me nevojat e industrive në mbarë botën. Nëpërmjet Career Catalyst, ne ofrojmë gjithashtu programe për të ri-kualifikuar dhe fuqizuar ata që janë të gatshëm të përshtaten dhe të përqafojnë mundësi të reja në fuqinë punëtore në zhvillim. Ky partneritet do të sjellë programet më të avancuara të përmirësimit dhe rikualifikimit të AI jo vetëm për bizneset tona, por për qeverinë dhe institucionet tona publike. Duke i pajisur profesionistët me aftësitë që u nevojiten për të udhëhequr, ne po ndërtojmë një themel për rritje të qëndrueshme, prosperitet dhe udhëheqje teknologjike. Së bashku, ASU dhe UNI po krijojnë shtigje që fuqizojnë Kosovën të ngrihet si model për arsim dhe inovacion në rajon”, ka thënë ai.
Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, tha se pa fuqi punëtore të kualifikuar nuk mund të ketë rritje dhe zhvillim ekonomik, për këtë ajo ka thënë se këto aftësi duhet të transformohen në zhvillim ekonomik.
Ajo ka shtuar se edukimi dhe trajnimi i të rinjve janë hapa kyç në rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje të transformimit dixhital, për të cilën tha se kjo është në thelb të strategjisë kombëtare dhe prioriteteve ekonomike, raporton EO.
“Edukimi dhe trajnimi i të rinjve tanë janë hapa kyç në rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje të transformimit dixhital, i cili është në thelb të strategjisë sonë kombëtare dhe prioriteteve ekonomike. Këto prioritete janë gjithashtu objektiva të Agjendës sonë Dixhitale 2030, e cila parashtron një vizion për një Kosovë moderne, të drejtuar nga teknologjia, ku teknologjia dixhitale shërben si një shtyllë për inovacionin, rritjen e industrisë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Më pëlqeu kjo ngjarje për disa arsye, së pari është se duke pasur një formim akademik edhe si ekonomiste, e di shumë vlerën dhe e pranoj se pa fuqi punëtore shumë të kualifikuar nuk do të kemi rritjen dhe zhvillimin ekonomik që na nevojitet”.
“Unë dua të vendos theksin këtu mbi pjesët e zhvillimit ekonomik dhe jo vetëm rritjen ekonomike, sepse nuk mjafton të kesh aftësi dhe t’i përdorësh ato për rritje, ne duhet t’i transformojmë këto aftësi në Zhvillim Ekonomik. Në çdo pjesë të Kosovës, çdo vendbanim tashmë është i mbuluar me internet me shpejtësi të lartë, gjë që na vendos të parët në rajon dhe ndër tetë vendet më të mira evropiane për sa i përket aksesit në internet me shpejtësi të lartë. Në anën tjetër telekomi ynë publik po modernizon rrjetet mobile në mbarë vendin dhe për një muaj do të mbulojë të gjithë Kosovën me teknologji moderne 5G ose 4G plus edhe në zonat rurale”, ka thënë ajo.
Marco Serrato, zëvendëspresident i Ndërmarrjeve të Mësimit në Universiteti Shtetëror të Arizonës, para të pranishmëve bëri një prezantimin me temën “Zhbllokimi i së ardhmes: Programet e ASU për përmirësimin e aftësive AI dhe katalizatorin e karrierës”.
“Bota po evoluon dhe po evoluon falë teknologjisë. Kur flasim për të ardhmen, punëtorët duhet të dinë t’i lexojnë të dhënat (e Inteligjencës Artificiale), dhe e dyta, që ka shumë rëndësi, se si duhet t’i adresojnë ato”.
Serrato ka theksuar se organizatat dhe kompanitë duhet të zhvillojnë një fuqi punëtore të shkolluar për IA, ndërsa ka prezantuar sfidat e përgjithshme të punëtorëve dhe menagjerëve për trajnimin dhe zhvillimin e aftësive që kanë të bëjnë me Inteligjencën Artificiale.