Pas aksionit policor në veri të Mitrovicës ku u arrestuan rreth 30 persona, në mesin e së cilëve kishte edhe persona zyrtarë, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka treguar pse u gjend një pjesëtar rus i kësaj organizate tek barrikadat që kishin vendosur serbët në Zubin Potok.
Mediat lokale kanë raportuar se personi në fjalë ka qenë bashkëpjesëmarrës në vendosjen e barrikadave, për këtë arsye edhe është arrestuar, transmeton Klan Kosova.
Ndërsa sipas UNMIK-ut, pjesëtarët e saj ishin aty vetëm për të raportuar dhe për të kryer punën e tyre e cila është në përputhje me mandatin e misionit.
“Derisa ishin duke kryer detyrat e tyre të monitorimit dhe të raportimit (në përputhje me mandatin e Misionit), për situatat e zhvilluara, dy pjesëtarë të UNMIK-ut u arrestuan në veri të Kosovës në mes të një operacioni policor të kryer në mëngjesin e hershëm të 28 majit, i cili operacion kishte të bëjë me rrjetet e dyshuara të krimit të organizuar dhe keqpërdorimet e supozuara të pozitave zyrtare”, ka thënë Sanam Dolatshahi, i cili është zëdhënës për çështjet publike të Misionit të Komeve të Bashkuara në Kosovë.
“Të dy anëtarët e stafit, njëri i rekrutuar ndërkombëtarisht dhe tjetri në nivel lokal, janë lënduar gjatë arrestimit dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor. Detajet e tjera rreth këtij incidenti janë ende duke u qartësuar”.