UP shënon 53 vjetorin e themelimit, Kurti: Themelimi i një Universiteti është gjithmonë edhe një akt politik

Prishtinë | 15 Shk 2023 | 14:13 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) për nder të 53 vjetorit të themelimi të tij ka organizuar një ceremoni solemne. Roli i UP-së, u vlerësua lartë në shtetndërtimin e Kosovës, që nga protestat e organizuara nga ky institucion arsimor, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se UP-ja është vend i prodhimit të dijës dhe themelimi i tij është gjithmonë një akt politik.

“Historia ne Universitet të Prishtinës e ndanë historinë në dy epoka, në epokën e Kosovës pa Universitete dhe e dyta me Universitet. Universiteti mbushi 53 vjet dhe sot jemi këtu për tu uruar këtë ditëlindjeje. Historia e Universitetit fillon me degën e historisë. Si vendi ku studiohet universalja. Themelimi i një Universiteti është gjithmonë edhe një akte politikë”, tha Kurti.

Gjithashtu ai tha se të gjitha figurat e njohura akademika kanë kaluar nga bankat e këtij institucioni.

“Nuk ka akademik, politikan nga Sanchaku e Mali i Zi që nuk ka kaluara nga bankat e UP-së. Edhe demonstratat nuk mund t’i mendojmë pa i lidhur me Universitetin. UP është vend i prodhimit të dijes. Teksa zvogëlojmë papunësinë në vendin tonë nuk duhet të lejojmë reduktim e vendeve në UP. Ne na duhet zgjerimi dhe thellësia dhe jo vetëm specializimi. Të bëhemi bashkë kështjellë e fortë që na mbron të gjithëve kur sulmohemi”, tha Kurti.

Më këtë rast Rektori i UP-së, Qerim Qerimi, duke falenderuar ata që kanë kontribuar në themelimin e UP-së tha se Universiteti ka një mision për të gjetur të vërtetën.

“53 vjet paraqesin një periudhë të papërfillshme. Duke ju falënderuar atyre që kanë bërë të mundur ndërtimin e kësaj bukurie, ne e shmangim një imagjinata se çfarë do të ndodhej pa të. Për tej rolit më të gjerë, Universiteti ka një mision të gjeturit të vërtetës. S’është ndonjë gjë e pa natyrshme sepse mendimi transformues ka rrënjë në Universitet”, tha ai.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Mehmet Kraja tha se Universiteti i Prishtinë është histori e Kosovës, histori e idelave të saj për liri dhe dinjitet.

“Universiteti i Prishtinës është histori e Kosovës, histori e idelave të saj për liri dhe dinjitet, për vetë respekt për drejtësi, për realitetin që jetonim dhe ëndrrat që na vritnin ende pa marr krahë. Kjo histori mbi 50 vjeçare e Universitetit na bënë me dijë që ne kemi potencial, kemi fuqi të brendshme për t’i arritur synimet tona”, tha ai.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha tha se Universiteti i Tiranës ka qenë bashkëpunëtorë i UP-së që nga krijimi i saj.

“Jam i emocionuar, shumë i nderuar që sot në emër të Universitetit të Tiranës, të ju uroj 53 vjetorin. Pak muaj më parë Universiteti i Tiranës festoj 65 vjetorin e krijimit, i cili është edhe Universiteti i parë që ka bashkëpunuar gjithmonë me UP-në, e cila ishte një arritje e shkëlqyer e popullit shqiptarë në Kosovë dhe për në në Shqipëri ishte një gëzim i madh”, tha ai.

Fjala e plotë e kryeministrit Albin Kurti:

I nderuari rektor i Universitetit të Prishtinës, Profesor Qerim Qerimi,

E nderuara ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,

I nderuari kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Mehmet Kraja,

E nderuara zëvendësministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Edona Maloku Bërdyna,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës dhe deputetë nga Komisioni Parlamentar për Arsim,

Shkëlqesi ambasadorë e përfaqësues të vendeve mike në Republikën e Kosovës,

I nderuari rektor i Universitetit të Tiranës, Profesor Artan Hoxha,

Të nderuar akademikë të pranishëm, profesorë, përfaqësues të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të Institutit të Historisë, atij Albanologjik dhe të Bibliotekës Kombëtare,

Të nderuar rektorë e dekanë, prodekanë e profesorë të universiteteve tona,

Të dashur studentë,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Historia e Universitetit të Prishtinës, e ndanë historinë e Kosovës në dy epoka të cilat për kufi e kanë vitin 1970: në epokën e Kosovës pa universitet dhe në epokën e Kosovës me universitet. E para ka marrë fund qysh atëherë, ndërkohë që e dyta, sa më shumë vite që kalojnë, sa herë që festojmë ditëlindjen e Universitetit të Prishtinës çdo 15 shkurt, shkon duke u rritur dhe duke u shtrirë në kohë. Universiteti i Prishtinës mbushi 53 vjet të ekzistencës dhe të punës së vet, për çka dhe jemi mbledhur sot këtu, për t’ua uruar këtë ditëlindje stafit menaxherial dhe akademik, si edhe të gjithë studentëve, atyre aktualë dhe atyre që dikur kanë qenë studentë të Universitetit të Prishtinës, e ku bëj pjesë edhe unë vet.  

Historia e Universitetit të Prishtinës, fillon me Degën e Historisë, e themeluar më 1961, pra gati një dekadë para se të themelohej vetë Universiteti i Prishtinës. Si vendi ku studiohet universalja, universiteti e ka në imanencën e tij publiken, pra, edhe politikën. Andaj themelimi i një universiteti është gjithmonë edhe një akt politik. Ishin demonstratat e vitit 1968 me parullën “Du’m Universitet”, ato që krijuan kushtet edhe politike për themelimin e Universitetit të Prishtinës.  

Në Dekretin për shpalljen e ligjit për themelimin e Universitetit të Prishtinës, të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969, neni 3 thoshte “Universiteti në Prishtinë do të fillojë punën jo më vonë se më 15 shkurt 1970”. Të nesërmen, gazeta Rilindja kishte për titull në ballinë: “Universiteti në Prishtinë do të japë dritë, shkencë e kulturë”.  

Më 13 shkurt 1970, u mblodh Kuvendi i Parë i Universitetit të Prishtinës, ku u zgjodhën organet drejtuese: rektori, prorektorët dhe 29 anëtarët e Pleqësisë. Rektor u zgjodh Dervish Rozhaja, doktori i biologjisë që kishte kryer specializime edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy ditë më pas, Universiteti i Prishtinës do të themelohej edhe solemnisht. Më 15 shkurt 1970, duke nisur nga ora 10:00, Kuvendi Krahinor i Kosovës atëbotë mbajti mbledhjen solemne të themelimit të Universitetit të Prishtinës.  

Prishtina ishte kryeqyteti i Kosovës në shekullin e kaluar, porse Universiteti i Prishtinës ishte kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve që jetonin nën ish Jugosllavi. Nuk ka akademik, intelektual a politikan, jo vetëm nga Kosova por edhe nga Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, nga Sanxhaku dhe Mali i Zi që nuk ka kaluar nëpër bankat e Universitetit të Prishtinës. As demonstratat qytetare e as luftën çlirimtare nuk mundemi as t’i mendojmë se lëre më t’i studiojmë a t’i analizojmë pa Universitetin e Prishtinës. E sot, në shtetësinë dhe pavarësinë e Republikës sonë nuk ka institucion me rol dhe kontribut më të madh se Universiteti i Prishtinës. Andaj, teksa kremtojmë ditëlindjet e universitetit tonë, ne kremtojmë vetë rritjen tonë si shtet.  

Universiteti është vendi i prodhimit të dijeve dhe të vërtetës. Por është edhe vend ushtrimi i subjektivitetit. Ku ka vend më të mirë se, mes sasisë së madhe të dijeve njerëzore, të marrësh kohën dhe nën drejtimin e trupës profesoriale ta ndërtosh subjektin. Kohë dhe subjekt. Njësoj për shtetin: mes dijes akademike, guximit civil dhe ekspertizës ekzekutive duhet ta organizojmë shtetin si subjekt të një populli historik dhe gjeografik, dhe po ashtu si subjekt ndërkombëtar.

Universiteti nuk ka emra të vegjël. Shkenca, Arti, Filozofia, duke përfshirë edhe dijen ushtarake dhe atë sportive, janë vetë përmasat e hulumtimit të njeriut në vetvete, fakultetet përbërës të njeriut. Andaj universiteti është vendi më i plotë edhe i dekonstruktimit edhe i ndërtimit të subjektit. Në këtë prizëm duhet rikthyer ideja afatgjatë e tij si vend i lartë dhe nder për studentin. Teksa zvogëlojmë papunësinë në shtetin tonë, e nderuar ministre, nuk duhet të lejojmë reduktim universiteti, jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë, në mundësi diplomimi për punësim, por që disi heq thellimin e njeriut.

Duhet rikthyer ideja e një studenti me një relacion të përgjithshëm me horizontin e dijes. Natyrisht që kërkohet gjithnjë e më tepër specializim, specifikim, modernizim. Por një sfond metafizik dhe epistemologjik është gjithnjë i domosdoshëm. Roli i pakufizuar i ekonomisë, tronditja e madhe me klimën dhe ndryshimet klimatike, lulëzimi i reaksionit izolacionist në shtetet perëndimore apo lulëzimi i autokracive në shtetet lindore rrjedh prej faktit të rrënimit të epistemologjisë – si vetëdije e shkencës – dhe përjashtimit të metafizikës – si besim në mendimin teorik.

Të nderuar pjesëmarrës,

Literatura që dëshmon zhvillimet në kohë, duket se po zë një vend margjinal përballë zbavitjes së mediumeve. Finesa e humaniteteve po shpërbëhet sepse përmasat e artit të shkruar nuk depërtojnë më në vatrat shoqërore, ndërsa artikujt filozofiko-politikë nuk përbëjnë më rrezatime në shoqëri, pasi nuk përputhen më me karakterin e shpejtë të suporteve mediatike. 

Njerëzit tanë do të jenë të ftuar drejt çarjes radikale të subjektit mes përthellimit dhe aplikimit. Ata që do të synojnë përthellimin do të jenë të paktë e rrezik të dështuar. Ata që do të drejtohen nga aplikimi do të jenë të shumtë e rrezik të dyshuar. Nëse i japim sërish mundësitë përthellimit, nuk do ta kemi lënë në vetmi përbërësin intelektual të njeriut.

Ne na lipset një Republikë që rivendos statusin dhe autoritetin e profesorit si funksion simbolik të inteligjencës dhe studentin si funksion dinamik të krijimtarisë, e inxhinierin dhe mjekun si funksione të aplikimit të inteligjencave.

Të nderuar profesorë e akademikë, e drejtoj para jush këtë premisë zhvillimesh, besoj unë, në vendin e duhur. Ne na duhet zgjerimi dhe thellësia dhe jo vetëm specializimi. Specializimi i vetmuar, pa gravitetin e një dijeje kombëtare dhe horizontin e një dijeje botërore e kthen profesionistin tonë lehtë në një tregtar të aftësive të veta kudo në botë, pasi është zhveshur më parë prej raportit të dijes me kohën, marrëdhënies intime të dijes me atdheun. Teknika ka frymën që i japim, pra që i japim ne. Ajo nuk ka vetvetiu frymë. Dija mund të kthehet në masë të pavlefshme nëse nuk konfiguron sjellje në politikat publike.

Universiteti, me profesorët dhe studentët e ndoqën për disa dekada në radhë të parë idenë e shtetformimit, prandaj ju tani, këtu, kudo edhe në vijim nuk keni pse të tërhiqeni në radhë të dytë në fushën e pafundme të shtetndërtimit. Ne sot kemi nevojë për mjekë që na ofrojnë ndjenjën e triumfit të shkencës së mjekësisë po aq sa shërimin e trupit e të mendjes. Mjeku, duke shëruar trupin e individit fuqizon besimin e komunitetit. Njëjtë për juristin, avokat apo gjyqtar. Në dijen dhe frymën e universitetit qëndron pra mundësia e parë për të pasur aplikim të njëkohshëm edhe të profesionalizmit po edhe korrektësisë, të arsimit po edhe të edukimit, për të qenë edhe të mirë po edhe të dobishëm, për shoqërinë sikurse edhe për vetveten.

Udhëheqja jonë ideore nevojitet të jetë plotnia e dijes dhe jo cektësia e rezultatit. Njëjtë si shteti që ka nevojë për një prapavijë të tërë funksionesh, po ashtu dhe individi ynë e ka të domosdoshme një prapavijë të tërë teoretike. Ashtu si më herët dokumentet themeltare të shtetit të Kosovës që vinin prej ekspertëve-profesorë, po ashtu duhet të prodhohet sot sfondi i rezistencës shoqërore dhe shtetërore intelektuale prej fuqive të këtij vendi. Të bëhemi bashkë kështjellë e fortë që na mbron të gjithëve kur sulmohemi dhe urë e fortë e që na mban të gjithëve kur avancojmë. 

Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Universiteti i Prishtinës, themeluar fillimisht mbi tri fakultete, ndër vite e dekada shkoi duke u rritur, derisa sot i ka 14 fakultete si njësi akademike të veçanta. Dekada e parë e Universitetit të Prishtinës, ishte dekadë e ngritjes së kapaciteteve akademike dhe infrastrukturore. Dekada e dytë, ajo e pas demonstratave studentore të vitit 1981, ishte dekada e diferencimeve politike, kur madje për dy vite edhe emri iu ndërrua universitetit, nga Universitet i Prishtinës, në Universitet i Kosovës në Prishtinë. Dekada e tretë, ajo e viteve të ’90-ta, ishte dhjetëvjetësh i universitetit nëpër shtëpi e nëpër ambiente private, por edhe dekadë kur Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës, me rektorin Ejup Statovci në ballë, ngriti gjithë Kosovën në demonstrata duke e bërë rezistencën aktive brenda Kosovës dhe duke sensibilizuar opinionin ndërkombëtar jashtë saj, mbi dhunën, apartheidin dhe segregacionin e ushtruar nga Serbia mbi shqiptarët në Kosovë. Dekada e katërt e Universitetit, ajo e fillimviteve 2000, ishte dekadë e rikthimit dhe e ringritjes pas luftës. Dekada e pestë e Universitetit të Prishtinës, qe dekadë e konsolidimit, e digjitalizimit dhe e modernizimit. Dekada e gjashtë e Universitetit të Prishtinës, uroj të jetë dekadë e përplotësimit të mëtutjeshëm, me praktika mësimdhënieje të avancuara, me studentë të përkushtuar dhe shembullorë, me hulumtime shkencore si dhe publikime e botime edhe ndërkombëtare, si dhe me kontribut të vazhdueshëm, të përditshëm në sferën publike, në shoqërinë e në shtetin tonë. Duke dëshiruar që ky realitet të bëhet aktualitet, edhe njëherë ju uroj ditëlindjen e 53-të të Universitetit të Prishtinës. 

Ju faleminderit.

​ 

Të ngjashme