Gjatë një periudhe dyvjeçare, 65 të rinj përfituan nga programi inovativ i praktikës profesionale i aktivitetit të USAID-it “Up To Youth”. Ndërsa këtë vit, programit iu shtuan edhe 40 praktikantë shtesë, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, u vlerësua lartë ndihma e USAID-it dhënë për të rinjtë kosovarë, me ç’rast u premtua se ata do të jenë të gatshëm për tregun e punës.
Zana Bajrami Rama nga “Kosovo CSR Network”, tha se fokus kanë pasur fuqizimin e të rinjve praktikantë. Ajo tha se pjesëmarrës kanë qenë edhe të rinjtë nga komunitetet joshumicë.
“Siç e dini qasja për qëndrueshmëri dhe ndërmarrësi shkon përtej ligjeve të aplikueshme. Përmes këtij projekti, fokusi ynë ka qenë fuqizimi i të rinjve praktikantë, nga komunitetet jo shumicë, persona me aftësi të kufizuara si dhe të rinjtë nga zonat rurale dhe urbane”.
“Ne të gjithë pajtohemi se këto mundësi kanë rezultuar me efekt në njërën anë, që të aplikohet teoria që e kanë mësuar gjatë periudhës shkollore në praktikë. Përvoja jonë ka treguar se duke pasur programe të strukturuara brenda kompanisë, ata do të gjenerojnë në kompani të ndryshme dhe do të kenë rezultate edhe praktikantët edhe kompanitë. Komuniteti i bizneseve dëshiron të ketë më shumë praktikantë”, tha Bajrami-Rama.
Carrie Hessler Radelet, drejtoreshë e “Global Communities”, e konsideron si të nevojshme që të rinjtë të kryejnë praktikë pas përfundimit të shkollimit profesional.
Ajo tha se shumë të rinj në mbarë botën hendikepohen shkaku i mungesës së praktikës.
“Një prej benefiteve më të mëdha ka qenë kjo mundësi për praktikë. Ka kërkesa që nuk kemi mundur t’i adresojmë. Ka shumë të rinj që iu duhen këto praktika. Në shumë vende, edhe në vendin tim, ka shumë të rinj që e përfundojnë shkollimin por nuk janë të gatshëm për tregun e punës”.
“Në të vërtetë kemi në çdo ekonomi konkurruese mungesë të fuqisë punëtore. Ka shumë nevojë për fuqi punëtore në sektorin e Shëndetësisë publike. Pra, praktika iu duhet të gjithë atyre që përfundojnë shkollimin”.
“Sa i përket praktikës në Kosovë ky është hapi më i mirë që duhet të ndërmerret, nuk kushtojnë shumë. Praktikantët sjellin shumë të mira në vendin e punës, ide të mira, një energji pozitive, shkathtësi të reja. Puna ime e parë ka qenë si praktikante dhe kam zhvilluar në këtë mënyrë shkathtësi, për të fituar vendin e punës. Ka shumë profesionistë në krejt botën që thonë se do të kishin dashur të kishin më shumë mundësi për praktikë. Vlen të theksohet se Kosova ka arsye për të pasur mbështetje për praktika. Kur e kemi parasysh edhe sistemin arsimor duhet të mbështesë këtë praktikë në strategjinë e vet”, tha Hessler Radelet.
Arta Mehana nga organizata “U takon të rinjve” tregoi për punën që kanë kryer këta praktikantë.
“Shumica e të rinjve që janë sot këtu besoj që kanë pasur mundësinë që të ndjekin një nga 9 shkollat e ndërmarrësisë. Të rinjtë e ‘Up to Youth’ (u takon të rinjve) duke dashur të jenë pjesë e programit tonë , i cili ka ofruar mundësinë që të involvojë të rinjtë në një studim, përmes të cilin ata kanë pasur mundësinë të intervistojë më shumë se 300 përfaqësues të bizneseve në 9 komuna dhe Prishtina”, tha Mehana.