Sekretari i PDK-së, Uran Ismaili ka thënë se kreu i LVV-së, Albin Kurti ka ngritur paralele me vizitën e tij në veri të Mitrovicës dhe në Skenderaj.
Ismaili në një shkrim në Facebook tha se kjo nuk është veç dashakeqësi, por është edhe tepër e rrezikshme për të kaluarën dhe për të ardhmen tonë.
“Është e rrezikshme, qoftë edhe vetëm si simbolikë politike. Historia është ajo që i pengon Albin Kurtit. Historia e Drenicës. Historia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lidhja e saj me Partinë Demokratike. Historia e lavdishme e Kosovës. Kjo histori i dhemb Albin Kurtit, sepse ai nuk ka hise në të. E ai i kërkon të gjitha”, ka thënë ai.
“Kurti e ka vizituar Skenderajn edhe të tjera herë, dhe kurrë s’ka pasur probleme. Por, sot e vizitoi pas Veriut, me policë më shumë se në Veri. Sepse, dëshiroi të tërhiqte paralele mes Skenderajt dhe Veriut. Ky ishte qëllimi i tij, t’i krahasonte votuesit tanë me ata të Kralevës dhe me huliganët serbë në Veri. Skenderajn e UÇK-së, të dhimbjes e krenarisë shqiptare, ky njeri nuk do të mund ta poshtërojë dhe nënshtrojë asnjëherë, sado që të provojë. Përkundrazi. Kushdo që e ka tentuar këtë, e ka poshtëruar historia”, tha Ismaili.