Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili ka prezantuar projektin për ndërtimin e Parkut Qendror, në qendër të qytetit prej 8 hektarësh, raporton Ekonomia Online.
Ai e ka quajtur një projekt me shumë rëndësi për të dhe qytetarët e i cili do ta përmirësojë dukshëm cilësinë e jetës në qytet.
“Për disa javë rresht unë kam fol për Prishtinën e Gjelbër. Mirëpo këtë projekt e kam jashtëzakonisht me rëndësi, prandaj edhe jemi përkushtuar shumë që këtë projekt ta planifikojmë në mënyrën më të mirë, që ai të bëhet i mundur dhe ta ndryshojë jetën tonë për të mirë”, ka thënë Ismaili. “Unë dua ta bëjë Prishtinën qytet të gjelbër.
Projekti im më i madh e më ambicioz për Prishtinën e gjelbër është projekti për ta ndërtuar Parkun Qendror të Prishtinës– mushkëritë e reja të Prishtinës. Plani im është që deri në tetor të 2024-tës, Prishtina të ketë Parkun Qendror 8 hektarë, në qendër të Prishtinës. Lokacioni i parkut qendror të Prishtinës do të jetë midis qytetit, përgjatë stadiumit Fadil Vokrri dhe Pallatit të Rinisë”, ka thënë Ismaili.
Ismaili ka thënë se do ta bëjë zhvendosjen e ndërtesave dhe parkingjeve të administratës publike.
“Do t’i rigjeneroj hapësirat tjera publike, për transformimin e tyre në hapësira të mëdha e të gjelbërta të qytetit tonë. Kemi me e rujtë vetëm një ndërtesë, ish-ndërtesën e burgut dhe kemi me e kthyer në muze, në përkujtim të një periudhe të dhimbshme të Prishtinës sonë. Parkingu i madh prapa Pallatit të Rinisë do të transformohet në park, me hapësira të gjelbërua, shtigje për ecje, vrapim e amfiteatër publik. Parku Qendror do të ofrojë shtigje të reja të gjelbërta, për ti dhënë më shumë oksigjen qytetit e qytetarëve ajër të pastër e hapësirë për çlodhje gjatë ditës”, ka thënë ai.
Ismaili i ka ftuar të gjithë qytetarët e Prishtinës që ta mbështesin planin e tij për Parkun Qendror me votën e tyre këtë të diel.
“Sepse me këtë votë nuk zgjidhet veç kryetari i ardhshëm i Prishtinës, por vendoset edhe për Prishtinën e së ardhmes e cila është e gjelbër, e shëndetshme, digjitale e bëhet destinacion jo vetëm për qytetarët e saj, por të gjithë ata që vijnë dhe e shijojnë Prishtinën”, ka thënë Ismaili.