Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili ka thënë se deri në vitin 2024 do ta përfundoj ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se kjo është kërkesë të kahmotshme të qytetarëve të Prishtinës dhe punën që ka nisur si ministër i Shëndetësisë për ndërtimin e këtij spitali synon ta përfundoj si kryetar i Prishtinës me sukses.
“Prishtina do të ketë një spital modern që është në gjendje të përmbushë nevojat dhe kërkesat shumëvjeçare të prishtinasve”, ka thënë Ismaili.
Ai ka thënë se edhe plani i fizibilitetit është gati dhe dihet saktësisht se si do të duket spitali.
“Projekti është gati, plani i Fizibilitetit është gati dhe spitali do të ketë: 200 shtretër, 4 dhoma të Operimit, 54 dhoma të intervenimit dhe një kapacitet prej më shumë se 200 profesionistëve shëndetësorë”, ka thënë Ismaili.
Sipas tij, aktualisht, gjithë pacientët që janë qytetarë të Prishtinës të vetmen adresë trajtimi kanë QKUK-në – që si institucion i shërbimit terciar, i dedikuar për t’iu shërbyer gjithë qytetarëve të Kosovës detyron pacientët e Prishtinës që të presin në rend, edhe për shërbimin më bazik, me qytetarët e gjithë Kosovës.
“Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës do të shkurtonte listat e pritjes për qytetarët e Prishtinës dhe do të përshpejtonte shërbimet shëndetësore për të cilat kanë nevojë qytetarët e Prishtinës”.
Ismaili ka treguar se me 4 prill të vitit 2019, atë kohë si ministër i Shëndetësisë, kishte nënshkruar Memorandumin e mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës, raporton EO.
Si rezultat i kësaj ishte arritur që me ndihmën e ekspertizës gjermane të bëhet Studimi i Nevojave dhe Vlerësimit të Kapaciteteve, si dhe është bërë hartimi i projektit detal për Spitalin e Prishtinës.
“Realizimi i këtij projekti që synon barazi e drejtësi për qytetarët ka qenë dhe mbetet njëri nga prioritetet e mia kryesore”, ka përfunduar Ismaili.