Urimi i Limajt për shqiptarët: Kjo festë simbolizon tri ngjarje me rëndësi jetike të qenies tonë në liri

Prishtinë | 28 Nën 2024 | 10:54 | Nga Ekonomia Online

Me një video nga lufta, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj i ka uruar shqiptarët për 28 Nëntorin, raporton Ekonomia Online.

Ish-komandanti i UÇK-së publikoi një video kur gjatë luftës e bënin betimin e ushtarit.

Në mesazhin e tij urues në rrjetin e tij social Facebook, ai ka thënë se kjo festë simbolizon tri ngjarje me rëndësi jetike për ekzistencën e qenies tonë në liri.

“28 Nëntori i Krujës së Skënderbeut, kur u vunë themelet e para të rrugës së cilës kombi ynë do ta ndiqte përjetësisht. Nëntori i dytë, kur në Vlorën historike u ringrit flamuri për të shpallur shtetin nga Ismail Qemali. Dhe përfundimisht, me Nëntorin e tretë, i cili personifikohet me komandantin tonë legjendar Adem Jashari, i cili jo vetëm se pati ditëlindjen me këtë datë, por edhe shpalli veprën e tij më 28 Nëntorin e vitit 1997, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke shënuar faqet më të arta të historisë moderne”, shkroi Limaj.

Të ngjashme