Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës për takimin me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.
Kurti para mediave ka thënë se të dyja palët e kanë vullnetin e mirë dhe mundësitë reale për arritjen e pajtueshmërisë për çështjen e presidentit.
“E kemi vullnetin e mirë, i kemi mundësitë reale. Tash po ecim përpara, siç po e shihni, dhe urojmë të arrijmë në një marrëveshje“, tha Kurti.
Takimi i fundit mes dy liderëve u mbajt të shtunën mbrëma, por pas përfundimit të tij nuk pati detaje konkrete.
Në takim ka qenë e pranishme edhe ish-presidentja Vjosa Osmani që në zgjedhjet e fundit garoi në listën e LDK-së.
Kurti dhe Abdixhiku janë takuar tashmë disa herë në negociatat për formimin e institucioneve, ndërsa së fundmi takimet po mbahen vetëm në kuadër të gjetjes së një emri për president.

